Daniel Maksymiuk, ambasador i Kanadasë në Kroaci dhe njëherësh jorezident për Kosovën, kërkon nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Maksymiuk është ambasador i Kanadasë në Kroaci, shtet ky që po ashtu ka mosmarrëveshje me Slloveninë mbi kufijtë detarë dhe mbi të drejtat e lundrimit e të peshkimit, përderisa në qendër të mosmarrëveshjeve është Gjiri i Piranës.
Në fund të qershorit të vitit të kaluar Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë një vendim që tri të katërtat e Gjirit të Piranës t’i përkasin Sllovenisë krahas korridorit që i siguron qasje në det të hapur, por Kroacia nuk e pranon vendimin.
Për këto arsye ambasadori Maksymiuk thotë se preferon zgjidhjet e negociuara dhe bilaterale para se çështja të dërgohet në Arbitrazh.
Zëri: Ju jeni ambasador në një shtet (Kroaci), i cili gjithashtu ka mosmarrëveshje të njëjta kufitare me Slloveninë. A është zgjidhje edhe për Kosovën Gjykata e Arbitrazhit njëjtë si Kroacia e Sllovenia nëse koalicioni qeverisës dështon ta miratojë marrëveshjen në Kuvend?
Maksymiuk: Arbitrazhi mund të jetë një mjet i dobishëm në zgjidhjen e çështjeve mes dy fqinjëve, posaçërisht në rastet që janë politikisht të ndjeshme. Por kur është e mundshme, unë do të preferoja zgjidhjet e negociuara dhe bilaterale. Në rastin e Kosovës dhe të Malit të Zi tashmë ka një zgjidhje bilaterale, e cila reflekton interesat e të dyja palëve. Është e bazuar në punën e ekspertëve.
Do të doja t’i shihja përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës në Parlament që të marrin përgjegjësinë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme dhe jam optimist se kjo është ajo që ata do ta bëjnë.
Zëri: A mendoni se BE-ja ka tentuar që nëpërmjet kushtit për demarkacion t’i eliminojë mosmarrëveshjet mes shteteve të cilat janë në proces të integrimit, përkatësisht për të mos u përsëritur rasti Slloveni-Kroaci?
Maksymiuk: Bëtë një pyetje të shkëlqyeshme! Nuk dua t’i interpretoj qëndrimet e BE-së apo të mundohem të analizojë strategjinë e BE-së në avancimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mund të them se Kanadaja e mbështet BE-në si një partner i rëndësishëm, pasi fokuson vëmendjen e shtuar në këtë rajon. Për shembull, Strategjia e Re e Komisionit për Ballkanin Perëndimor dhe Procesi i Berlinit janë të rëndësishëm dhe përpjekje pozitive.
Në fund, po ashtu besoj se Kosova dhe fqinjët e saj janë përcaktuar të jenë anëtarë të BE-së. Ky është qëllimi. Duhet të ketë kushte të qarta për këtë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranojnë atë që vërtet nënkupton të jesh anëtare e BE-së. Por të jesh tepër i ashpër rreth një kushti të caktuar mund ta bëjë qëllimin e madh më të vështirë për ta arritur.
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...
Rrahmani e Krasniqi startojnë nga minuta e parë ndaj Atletic...
Ish-udhëheqësit e UÇK-së, letër trupit gjykues: Ruani paansh...
Lewandowski në kërkim të golit të 100 në Ligën e Kampionëve
Trump ashpërson tonin dhe vendimet, rrit tarifat ndaj Kinës,...
“Jam shumë pishman që të kam dhënë mundësi”, Xheneta diskuto...