Katër gra, kunata me njëra-tjetrën, nga fshati Malas në Mallakastër, u arrestuan më 3 mars për prodhim lëndësh narkotike dhe moskallëzim krimi.
Në operacionin e policisë u sekuestruan 350 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa u arrestuan vetëm pronari i shtëpisë ku ndodhej droga dhe 4 gratë që punonin aty.
Tashmë, Prokuroria i ka zgjeruar hetimet vetëm ndaj mënyrës sesi shkuan gratë në punishte dhe jo ndaj bashkëpunëtorëve të tjerë. Deri më tani, Prokuroria nuk ka identifikuar personat që e mbollën, ata që e çuan në banesën në fshatin Çorrush, si edhe organizatorët që do ta trafikonin jashtë vendit.
Ndërkohë, deri në dhjetor të vitit 2017, në Shqipëri ndodheshin në burgje 5.496 persona. Ishin 386 persona të dënuar për prodhim lëndësh narkotike, 270 për trafikim dhe kultivim, ndërsa vetëm 3 persona janë të dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale.
Gjithashtu janë edhe rreth 850 persona të paraburgosur për prodhim, kultivim dhe trafikim të narkotikëve, e vetëm 7 për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale. Pra, në burg janë vetëm 10 organizatorë të grupeve kriminale dhe mijëra të tjerë që mbjellin dhe mbajnë lëndë narkotike.
“Trafikantet” e hashashit
“Fiks Fare” shkoi te shtëpitë e organizatoreve Eleonora dhe Irma Jaupaj, ku rezultoi se njëra ishte me ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh, ndërsa tjetra me 3 fëmijë të mitur për të rritur. Shtëpitë i kishin të parregulluara.
Sipas tyre, në datën 3 mars 2018 kanë shkuar në fshatin Çorrush. Një person me emrin Gazi u kishte thënë të punonin për të, për të paketuar sherebelë. Shkuan atje, punuan disa orë dhe u erdhi policia. Atje panë se bima nuk ishte sherebelë. Kur erdhi policia, 4 gratë i kapën dy-tre kilometra më larg, pasi ikën me vrap bashkë me disa persona të tjerë.
Eleonora Jaupaj thotë se një person me emrin Gazi e ka kontaktuar për të punuar në fshatin Çorrush. Ka shkuar atje, pasi e ka ditur se do të punojë në sherebelë. Pas dy orësh, policia ka shkuar në banesën e hashashit, ku pas disa minutash ndjekjeje ka arrestuar 4 gra dhe pronarin e shtëpisë.
Personat e tjerë nuk janë gjetur, megjithëse sipas Eleonorës, në punishte kanë qenë rreth 20 persona.
“I thamë policit ja tek janë. Ai na mori neve, na mbajti 4 orë te shtëpia. Na shoqëruan në polici, ku na mbajtën për tri ditë, e më pas gjykata na liroi”, thotë Eleonora.
Sipas saj, Prokuroria apeloi vendimin, duke argumentuar se gratë akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe moskallëzim krimi. Eleonora Jaupaj tregon se ka 4 fëmijë, familja e saj merr ndihmë ekonomike prej 4.000 lekësh nga Bashkia e Mallakastrës.
“Vajzën e kam sëmurë. Më kanë kërkuar 5.000 euro për ta operuar. Ku t’i gjej lekët?”, thotë Eleonora, ndërsa me lot në sy tregon se ia pastron vet sytë vajzës.
“Ne punuam për bukën e gojës. Pse, me këto kushte është kjo grua që cilësohet se prodhon drogë, lëndë narkotike?”, thotë Eleonora.
Ndërkohë, Irma Jaupaj ka 3 fëmijë, nga 8-14 vjeç.
“I tregova punonjësit të policisë që na arrestoi se kishte edhe persona të tjerë, që ishin në pyll. Ai na arrestoi vetëm neve, na tha se vjen vet ai në polici”, thotë Irma.
Gazetarët e “Fiks Fare”, bashkë me dy gratë shkuan në fshatin Çorrush, te shtëpia ku u sekuestrua sasia prej 350 kilogramësh hashash. Gratë thanë se, në momentin që erdhi policia janë larguar disa kilometra në këmbë, derisa janë arrestuar.
Ndërkohë, afër kësaj banese banon edhe babai i të arrestuarit, Gazmend Allkaj. Ai thotë se djali i tij e ka marrë përsipër lëndën narkotike, ndërsa saktëson se dy gratë kanë shkuar për punë vetëm ditën që janë arrestuar.
Organizatorët lihen të lirë, ndërsa punëtorët në burg!
“Fiks Fare” i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve informacion në lidhje me numrin e të dënuarve, të të paraburgosurve, si dhe numrin e të dënuarve për lëndë narkotike pas vitit 2013.
“Deri në dhjetor të vitit 2017, në burgje ishin 5.496 persona. Nga këta, 2.450 të paraburgosur. Të dënuar pas vitit 2013 janë 386 persona për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike; 173 për trafikim të lëndëve narkotike; 101 për kultivim të bimëve narkotike; 3 persona të dënuar për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale; si dhe një person i dënuar për përdorimin e drogës”.
Ndërkohë, të paraburgosur pas vitit 2013 janë 537 persona për prodhim dhe shitje të narkotikëve; 192 për trafikim të narkotikëve; si dhe 131 për kultivim të bimëve narkotike.
Drejtoria e Burgjeve thotë se janë vetëm 7 persona për organizim dhe drejtim të organizatave kriminale; 4 të paraburgosur për përshtatje të lokalit për përdorim droge; si dhe dy të paraburgosur për nxitje për përdorimin e drogës.
Pra, nga viti 2013 e deri në dhjetor të 2017-s, vetëm 10 persona janë hetuar, proceduar dhe arrestuar për organizim të trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa mijëra të tjerë, punëtorë, ata që mbollën hashash, ndodhen të arrestuar./tch/
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...