Drita hakmerret ndaj Vëllaznimit, triumfon në Gjakovë dhe merr kreun e tabelës

16:07 | 18 Mars 2018
Arbresh.info

Drita ka marrë një fitore tejet të madhe në udhëtim te Vëllaznimi 0-1, duke marrë edhe pozitën e liderit në Superligë.

Vëllaznimi kishte arritur t’i shkaktojë probleme të mëdha Dritës fillimisht më 3 mars duke e ndalur në barazim 1-1 dhe duke e larguar nga kreu i tabelës.

Tri ditë më vonë gjakovarët e eliminuan Dritën nga Kupa në Gjilan.

Kësisoj dy skuadrat luajtën pjesën e parë me kujdes maksimal dhe loja kryesisht zhvillohej në mesin e fushës.

Bardhoku i vendasve tentoi fillimisht në minutën e 10-të nga distanca por që goditja e tij u prit nga Rexhepi.

Drita u kundërpërgjigj me kapitenin Ardian Limani që provoi me kokë por jashtë portës.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe në pjesën e dytë dy skuadrat luanin me kujdes të madh gjë që ndikoi mos të ketë shumë raste.

Por në minutën e 69’, pas një tollovie në zonën e vendasve më së miri u gjend Endrit Krasniqi që kaloi Dritën në epërsi 0-1.

Tetë minuta më vonë Vëllaznimi mbeti me një lojtar më pak, pasi Vokshi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua.

Vëllaznimi tentoi barazimin e rezultat me Grajçevcin por pa sukses.

Kësisoj Drita ka marrë një fitore tejet të madhe në udhëtim duke iu hakmarrë Vëllaznimit për dy dështimet në Gjilan.

Tani skuadra e Bekim Isufit zë pozitën e parë në tabelë me 44 pikë një më shumë se Prishtina.

Vëllaznimi me këtë humbje ia vështirëson punët vetës pasi është në pozitën e nëntë me 31 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme Drita do të jetë nikoqire e Flamurtarit të Prishtinës.

Ndërkohë Vëllaznimi do të luaj në udhëtim tek Prishtina.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme