Google ADS

Thaçi e Vuçiq më 23 mars marrëveshje për energjinë dhe Asociacionin

14:03 | 17 Mars 2018
Arbresh.info

Udhëheqësit e Kosovë dhe të Serbisë prite të takohen në fund të javës së ardhshme në Bruksel në përpjekje për të arritur marrëveshje për energjinë, asociacionin, lirinë e lëvizjes dhe për Urën e Ibrit në Mitrovicë. Thaçi dhe Vucic pritet të dakordohen të paktën për energji dhe asociacion. Në Presidencë nuk kanë dhënë detaje për agjendën e Thaçit në Bruksel.

Problemet në fushën e energjisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë pasur pasoja edhe te vendet e BE’së, duke shkaktuar probleme në matjen e kohës. Për shkak të këtij problemi, shumë vende të BE’së kishin pasur vonesa në matjen e kohës.

Pas kësaj shumë udhëheqës të BE’së kishin bërë presion Presidentit të Serbisë, Aleksader Vucic të pranojë arritjen e një marrëveshje me Kosovën.

Burime të Express kanë treguar se Vucic ka refuzuar çfarëdo marrëveshje me Kosovën për energjinë pa u zbatuar pajtimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Për krejt këto tema, në nivel teknik, ka pasur diskutime, por ende s’ka pasur marrëveshje.

Ndërkohë, të premten e javës së ardhshme, në Bruksel, te Frederika Mogherini do të shkojnë Hashim Thaçi e Aleksander Vucic.

Përpos energjisë e asociacionit, dy Presidentët pritet të flasin edhe lirinë e lëvizjes, IBM dhe urën e Ibrit, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar.

Takimin e dy udhëheqësve shtetërorë e ka konfirmuar Zyra e Mogherinit.

Takimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel teknik dhe politik zhvillohet prej tetë vitesh. Janë arritur disa marrëveshje, përfshirë shuarjen e strukturave paralele të sigurisë, lirinë e lëvizjes, pranimin e dokumenteve etj. Mirëpo, shumica e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar në mesin e të cilave Asociacioni, Energjia etj./Express/

 

Të ngjashme