Google ADS

Vota e këtij deputeti ia siguron vizat kosovarëve

11:28 | 17 Mars 2018
Arbresh.info

Koalicioni qeverisës thotë se i ka siguruar 79 vota për ta votuar marrëveshje e kufirit me Malin e Zi. Por shpresat i kanë edhe tek vota e njërit nga anëtarët e Listës Serbe. Adem Hodza, do të jetë vendimtar nëse do të kalojë ose jo marrëveshja e Demarkacionit, duke u bërë kështu i 80-ti që i jep epilog kësaj marrëveshje. Marrëveshjet ndërkombëtare kërkojnë votimin e 2/3 të votave.

Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të martën nga ora 16:00 të mbahet seanca për Demarkacionin me Malin e Zi. Kjo datë është vendosur pasi seanca për këtë çështje kishte dështuar të mbahej tre herë radhazi. Shkak i gjithë kësaj ishte mungesa e votave.

Koalicioni qeverisës aktualisht i ka 79 vota që do ta votojnë marrëveshjen. Gjithmonë duke e llogaritur edhe votën e Donika Kadajt e cila iu ribashkua partisë së Haradinajt të cilën e braktisi dy vjet më parë, për t’u bërë pjesë e partisë së Kurtit. E që më vonë edhe Kadaj u rreshtua krahë 11 deputetëve të tjerë që dhanë dorëheqje nga strukturat e VV’së. Ndonëse deri më tani, e njëjta ishte shprehur kundër kësaj marrëveshje.

Sidoqoftë, aktualisht, koalicioni është në kërkim të votës së 80’të. Atë të deputeti Adem Hodza. Ky i  fundit është anëtar i partisë së goranëve (JGP), por që në Kuvend është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.

Express mëson se Hodza është pajtuar ta votojë marrëveshjen me Malin e Zi, pas një takimi që e kishte zhvilluar ditë më parë më nënkryetarin e AAK’së, Pal Lekajn, njëherësh edhe ministër i Infrastrukturës.

Madje kjo fuqizohet edhe më shumë nga fotografitë e publikuara në rrjetin social Faceboook të Pal Lekajt.

Megjithëse, Lekaj ishte treguar edhe i rezervuar kur ka publikuar qëllimin e këtij takimi.

“Sot prita në takim Deputetin në Parlamentin e Kosovës, z. Adem Hodza, me të cilin biseduam për projektet infrastrukturore në Komunën e Dragashit.

Është në interes të të gjithëve, e në veçanti të qytetarëve të Dragashit, që në këtë anë të bëhen investime. E gjithë kjo me qëllim të krijimit të kushteve për qarkullim të lirë, të shpejtë dhe të sigurtë të qytetarëve”, ka shkruar ai.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me deputetin goran Hodza, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve e as sms’ve për ta qartësuar qëndrimin rretho votës së tij./Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme