Nga: Jeffrey D. Sachs
Unë kam qenë në ndihmë të vendeve për të kapërcyer krizat financiare për 30 vjet, dhe kam studiuar krizat ekonomike të shekullit të njëzetë në kuadrin e punës time tim këshillimore. Në të gjitha krizat, ka një zhbalancim të qenësishëm të mundësisë midis kreditorit dhe debitorit. Menaxhimi i suksesshëm i krizave varet mbi mençurinë e kreditorit. Në këtë vështrim, unë nxis fort Gjermaninë të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Greqisë.
Një krizë financiare shkaktohet nga një borxh i madh i vendit, që përgjithësisht reflekton një kombinim të keqadministrimit nga vendi debitor, optimizimit të tepërt, korrupsionit, gjyqësorit të dobët, dhe nxitësve të zbehtë të bankave kreditore. Greqia e plotëson këtë tablo.
Greqia hyri në borxhe të mëdha kur ajo iu bashkua eurozonës më 2001, me borxh publik prej rreth 99% të GDP. Si një anëtar i ri, ndërkohë, Greqia kishte mundësi të merrte lehtësisht hua në vitet 2000 – 2008, dhe borxhi në raport me PBB u rrit në 109%.
Kur zhvillimi i një vendi varet mbi hyrje të vazhdueshme të kapitalit, një ndalim i papritur apo ndryshimi i derdhjeve financiare sjell një tkurrje të shpejtë. Në Greqi,lehtësia e marrjes së huave të reja ndaloi me krizën financiare globale të 2008. Ekonomia u tkurr 18% nga 2008 në 2011, dhe papunësia u rrit nga 8% to 18%.
Shkaku më i qartë ishte ulja e shpenzimeve qeveritare, që reduktuan kërkesën agregate. Punonjësit e sektorit publik humbën punët e tyre, dhe projektet e ndërtimit ngecën në vend. Ndërsa të ardhurat ranë, sektorët e tjerë vendas dështuan.
Një faktor tjetër në rënien ekonomike të Greqisë ishte më pak i dukshëm: shtrëngimi i kredisë bankare. Ndërsa bankat humbën mundësinë e tyre në linjat e kreditit bankar nga jashtë, ato vunë rregulla të forta për huadhënien dhe i quajtën ato hua të papaguara. Kursimtarët vendas gjithashtu tërhoqën depozitat e tyre, nga frika e aftësisë paguese të bankave dhe –falë ministrit gjerman të financave Wolfgang Schauble – për vazhdimin e qëndrimit të vendit të tyre si anëtar i eurozonës. Ashtu si tkurrja e kërkesës agregate, shtrëngimi i huave bankare pati një efekt të shumëfishtë, me rritjen e paqëndrueshmërisë financiare duke i nxitur depozituesit dhe institucionet e huaja financiare të tërheqin kreditë dhe depozitat nga bankat greke.
Në rrethana normale, ekonomitë e kapërcejnë një krizë borxhi duke shkurtuar deficitet qeveritare, duke zhvendosur prodhimin nga shitjet brenda vendit në eksportet, si dhe duke rikapitalizuar bankat. Bilanci pozitiv dhe të ardhurat nga eksportet i japin mundësi ekonomisë të shërbejë borxhin e jashtëm, ndërsa rikapitalizimi i bankave mundëson rritjen e kredive të reja.
Nëse rritja e eksporteve është e lartë dhe e shpejtë, të ardhurat sjellin kompensime në rënien e kërkesës të brendshme, prodhimi i përgjithshëm stabilizohet dhe madje mund të rikthehet rritja. Spanja, Irlanda, dhe Portugalia mundën të kapin nivelet e tyre pas krizës të 2008-ës me rritje në të ardhurat nga eksportet, kurse Greqia jo. Eksportet greke më 2013,prej 53 miliard euro, ishin 3 miliard më të ulëta se më 2008.
Kjo nuk është e papritur, për tre arsye. Së pari, sepse paketat shpëtuese europiane nuk rikapitalizuan sektorin bankar grek (fokusi ishte në shpëtimin e bankave gjermane dhe franceze), dhe eksportuesit potencialë nuk mund të siguronin kreditë e nevojshme. Së dyti, baza ekonomike e Greqisë është e dobët për të mbështetur një rritje të ndjeshme afat-shkurtër në eksporte. Së treti, pengesat administrative, rregullatore, dhe taksore vështirësuan rritjen e eksporteve, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të rritur dhe krijuar tregje të reja jashtë vendit.
Në vështrimin tim, politika e përgjigjes të partnerëve të Greqisë, të prirë nga Gjermania, ka qenë jo e zgjuar dhe joprofesionale. Mënyra e tyre ka qënë t’i japin hua të re kështu që Greqia të mund të shlyente borxhet e saj ekzistuese, pa reformuar sistemin bankar apo pa mbështetur konkurrueshmërinë e eksporteve të saj. Paketa e parë e shpëtimit të Greqisë prej 110 miliard euro, më 2010, shkoi për të paguar borxhet qeveritare ndaj bankave gjermane dhe franceze. Si rrjedhojë, Greqia i ka një pjesë më të madhe të borxhit të saj kreditorëve zyrtarë: FMN, Fondit Europian për Stabilitetin Financiar dhe, ndjeshëm, Bankës Qendrore Europiane.
….
Për të kapërcyer një krizë ekonomike, kreditori duhet të jetë i zgjuar dhe i matur. Ai ka të drejtë të kërkojë reforma të forta nga një qeveri debitore; por nëse debitori shtyhet më thellë në vështirësi, krijohen tensione në shoqëri, nxitet dhuna, krimet, dhe vuajtjet njerëzore. Debitori humbet më shumë, por edhe kreditori gjithashtu humbet, pasi nuk i kthehet borxhi.
Formula për sukses është të harmonizohen reformat me lehtësimin e borxhit, në linjë me nevojat reale të ekonomisë. Një kreditor i zgjuar i Greqisë duhet të bëjë disa pyetje serioze dhe zhbiruese: Si mund ta ndihmojmë Greqinë të marrë kredi përsëri brenda sistemit bankar? Si mund ta ndihmojmë Greqinë të rrisë eksportet? Çfarë është e nevojshme të mbështetet rritja e shpejtë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme greke?
Në këto pesë vjet, Gjermania nuk i ka bërë këto pyetje. Në të vërtetë, pyetjet kanë qenë zëvendësuar nga irritimi gjerman për plogështinë e supozuar greke, korrupsionin, dhe moskorrigjimin. Kjo u bë e shëmtuar dhe personale nga të dy anët. Kreditorët kanë dështuar të propozojnë rrugë realiste për zgjidhjen e borxhit të Greqisë,ndoshta nga frika e Gjermanisë se Italia, Portugalia, dhe Spanja mund të kërkojnë lehtësim të borxheve të tyre.
…
Kreditorët janë disa herë tregohen të zgjuar dhe disa herë çuditërisht jo. ShBA, Britania, dhe Franca gabuan rëndë në vitet 1920-të kur i imponuan pagesa (reparacione) në shuma të mëdha Gjermanisë për dëmet e shkaktuara në Luftën e Parë Botërore. Në vitet 1940-të dhe 1950-të, ShBA u treguan kreditor i zgjuar, duke i dhënë Gjermanisë fonde të reja financiare nën Planin Marshall, pasuar nga lehtësimi i borxheve më 1953.
Në vitet 1980-të, ShBA ishin një kreditor i keq kur kërkuan pagesa të mëdha borxhesh nga Amerika Latine dhe Afrika, kurse në vitet 1990-të e më vonë, treguan zgjuarsi duke vënë lehtësimin e borxheve në tavolinë. Më 1989, ShBA vepruan drejt kur ndihmuan në zbutjen e borxheve të Polonisë por më 1992, këmbëngulja për shlyerjen e borxheve të periudhës sovjetike nga Rusia hodhi farat marrëdhënieve të sotme të paqëndrueshme.
Kërkesat e Gjermanisë e kanë sjellë Greqinë në një pikë afër kolapsit, me pasoja të mundshme katastrofale për Greqinë, Europën dhe reputacionin (namin) global të Gjermanisë. Kjo është koha për mënçuri, jo për sertësi. Dhe mençuria nuk është butësi. Ruajtja e një Europe paqësore dhe të begatë është përgjegjësia më jetike e Gjermansë; por është sigurisht edhe interesi i saj jetik kombëtar.
*Jeffrey D. Sachs është Profesor i Ekonomisë dhe Drejtor i Institutit të Tokës në Universitetin Kolumbia (ShBA).Ai është gjithashtu këshilltar special për Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Përktheu dhe përgatiti për botim: Luan Shahollari
PSG-ja fiton minimalisht ndaj Lens dhe vazhdon shkëputjen ng...
Analistët komentojnë kërkesën për status të ri të gjuhës ser...
Ndotja e ajrit në Lahore ishte 80 herë më e lartë sesa kufiz...
Bislimi: Raporti i Komisionit Evropiam 2024 rikonfirmoi zhvi...
Në Tiranë ‘shpërthen’ gripi i shpendëve
Kurti: Vepra e heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu është ...