Google ADS

Aliu mendon se arsyeja e vërtetë e ikjeve nga VV’ja nuk është thënë ende

22:02 | 15 Mars 2018
M. A.

Pjesa e të pakënaqurve në Vetëvendosje, tashmë grupi më i ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës, nuk treguan arsyet e vërteta të ndarjes, shpreh bindjen deputeti i kësaj partie dhe njëri ndër themeluesit e Lëvizjes, Liburn Aliu.

“Nuk e kam idenë e plotë se pse ka ardhur deri këtu. Nuk kemi në fakt ndonjë arsye të vërtetë që ka të bëjë ose me konceptin, nuk kemi arsye që do të na bënte edhe neve të reflektojmë. Ajo çka është thënë deri tash është një lloj loje me arsyetim joreal. Arsyeja e vërtetë nuk është thënë. Nga ajo që kemi pa, e pasinqertë mendoj që ka qenë mënyra e artikulimit”, ka thënë Aliu në Rubikon të KTV-së.

Ai thotë se pakënaqësi kishin edhe të tjerët mirëpo duke qenë se dorëheqja mbetet e fundit, fillimisht sipas Aliut, duhej të adresoheshin problemet.

Sipas tij, asnjëherë nuk pati gatishmëri që të diskutohej dhe të adresoheshin këto tema.
Aliu ka treguar se ish-kryetarit Visar Ymeri iu kërkua që të mbante mbledhje të Kryesisë në mënyrë që të adresoheshin pakënaqësitë dhe të diskutohej për organizatën.

“Mirëpo një takim i tillë në Vetëvendosje u shty deri në publikimin e bisedës në Viber dhe ofendimit që iu bë Albin Kurtit nga deputetja Aida Dërguti”, ka thënë Aliu, teksa në Rubikon të KTV-së theksoi se kjo çështje u zvarrit pikërisht nga kryetari i atëhershëm, Visar Ymeri.

“Është shty nga mbledhja në mbledhje, kryesisht nga Visari. Unë bile kam qenë i zhgënjyer për shtyrje. Thoshte se do flasim, një herë e për të gjitha. U zvarrit deri kur ndodhi rasti me Aidën. Para se të ndodhte me Aidën ishin paralajmërimet se ishin katër kushte që i ka vendos Dardan Molliqaj e që ndër to ishte edhe mos kandidimi i Albin Kurtit për kryetar të partisë”, theksoi Aliu.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme