Google ADS

Prokuroria Speciale e Maqedonisë kërkon të gjykojë rastin “Monstra”

15:26 | 14 Mars 2018
Arbresh.info

Prokuroria Speciale e Maqedonisë kërkon nga Prokuroria e rregullt të gjykojë rastin “Monstra”, ku gjashtë shqiptarë akuzohen për vrasjen e pesë të rinjve maqedonë në prill të vitit 2012, pranë një liqeni artificial në Smillkovcë, afër Shkupit.

Gjykimi i Alil Demirit, Haki Aizirit, Fejzi Azirit, Sami Lutës, Afrim Ismajloviqit dhe Agim Ismajloviqit, të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm, është kthyer në shkallën e parë.

Gjykata Supreme kishte konstatuar shkelje të procedurave ndërsa janë prezantuar edhe dëshmi të reja që këta persona mund t’i lirojë nga akuza. shkruan rel.

Kërkesa e Prokurorisë Speciale pason edhe vendime tjera të këtij organi lidhur me procese gjyqësore që supozohet të jenë montuar nga organet gjyqësore që ishin nën kontrollin e qeverisë së kaluar.

Të arrestuarit për këtë rast në vazhdimësi janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa një këshill i themeluar për mbrojtjen e tyre pretendon se rasti është i sajuar për qëllime politike të qeverisë së kaluar, apo shpërqendrimin e vëmendjes nga probleme tjera aktuale, siç ishte në atë koha afera e përgjimeve që kishte implikuar në vepra penale shumë ish-zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski.

Kryeministri aktual, Zoran Zaev, i cili edhe kishte publikuar bisedat e përgjuara të politikanëve kishte deklaruar se ka prova që dëshmojnë pafajësinë e të akuzuarve për vrasjen e pesë maqedonasve.

Ky rast shumë herë ka ngritur tensione ndëretnike ndërsa janë mbajtur edhe protesta të shumta me kërkesën për zbardhjen e plotë të këtij procesi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme