Të huajt e lindur në Kosovë më të lumtur se vendësit

14:45 | 14 Mars 2018
Arbresh.info

Finlanda është vendi më i lumtur në botë, sipas një hulumtimi vjetor të publikuar të mërkurën i cili e vë Burundin në vend të fundit për nga indeksi i lumturisë ndërsa gjen se amerikanët po bëhen gjithnjë e më të palumtur ani pse vendi i tyre po bëhet më i pasur.

Raporti i Lumturisë Botërore 2018 i Rrjetit për Zgjidhje të Qëndrueshme Zhvillimore të OKB-së (SDSN) ka renditur 156 vende në bazë të rezultateve të tyre për GDP-në për kokë banori, për mbështetjen sociale, jetëgjatësi të shëndetshme, liri sociale, bujari e mungesë korrupsioni.

Finlanda u ngrit nga vendi i pestë vitin e kaluar në të parin sivjet, duke e rrëzuar Norvegjinë. Top-10 e sivjetme, si gjithmonë e dominuar nga shtetet nordike, është si vijon: Finlanda, Norvegjia, Danimarka, Izraeli, Zvicra, Holanda, Kanadaja, Zelanda e Re, Suedia dhe Australia, raporton Koha.net.

Në raport është përfshirë edhe Kosova ndërsa renditet kah mesi i listës, gjegjësisht në pozitën e 66-të.

Para Kosovës, nga rajoni është vetëm Sllovenia (51), kurse tjerat renditen pas Kosovës për nga lumturia.

Serbia renditet në pozitën e 78-të, Mali i Zi (81), Kroacia (82), Maqedonia (89), Bosnja e Hercegovina (93) kurse Shqipëria është e fundit në këtë listë për sa i përket lumturisë së shteteve të rajonit, gjegjësisht në pozitën e 112-të.

Vlen të theksohet se SHBA-ja ka shënuar rënie në indeksin e lumturisë, duke u renditur në pozitën e 18-të nga ajo 14 sa ishte më 2017. Britania është në të 19-in vend ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe në të 20-in.

Ndërsa, për herë të parë që kur ka nisur të bëjë matjet më 2012, raporti, i cili shfrytëzon një sërë organizatash zgjedhore, të dhënash zyrtare e metoda hulumtuese, ka renditur edhe lumturinë e migrantëve të lindur në vende të huaja në 117 shtete.

Finlanda edhe në këtë kategori u rendit e para, duke i dhënë vendit status të dyfishtë të artë statistikor.

Të lindurit e huaj më së paku të lumtur ishin në Siri, e cila ka shtatë vjet që është futur në luftë civile.

Ndërsa në Kosovë, vlen të potencohet se të huajt që kanë lindur në vendin tonë, janë më të lumtur sesa vendasit, duke u renditur në pozitën e 45-të, raporton Koha.net.

“Zbulimi më interesant i raportit është konsistenca e jashtëzakonshme midis lumturisë së migrantëve dhe vendasve”, thotë profesori John Helliwell nga Universiteti kanadez “British Columbia”.

“Ndonëse migrantët vijnë nga vende me nivele të ndryshme të lumturisë, vlerësimet e tyre të raportuara të jetës puqen me ato të banorëve tjerë në vendet e reja të tyre”, tha ai.

“Ata që lëvizin në vende më të lumtura përfitojnë, kurse ata që lëvizin në vende më pak të lumtura humbin”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme