Google ADS

Katër dëshmitarë dëshmuan për vrasjen në Pejë

22:08 | 13 Mars 2018
M. A.

Katër dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre në gjykimin për vrasjen e Mentor Zekajt, vrasje për të cilën po akuzohet shoku i tij, Kreshnik Haliti

Mirjeta Zekaj dëshmoi sot për vrasjen e burrit, e cila ndodhi vitin e kaluar në lagjen “Fidanishte” të Pejës.

Dëshmitarja tha se i akuzuari dhe bashkëshorti i saj i ndjerë kanë qenë shokë të mirë prej 10 vitesh.
Për ta dëshmuar këtë, trupit gjykues ajo i tha se ka fotografi, në të cilat i akuzuari shihet i pranishëm në festat e organizuara nga burri i saj.
Gjatë dëshmisë, Mirjeta Zekaj tha se i akuzuari ia kishte kërkuar rreth 85 mijë euro borxh burrit të saj, me arsyetimin se po i kërcënohet familja në rast se nuk e paguan atë shumë.
“Ky (i akuzuari) ia ka kërku Mentorit 85 mijë a 86 mijë euro, s’jam e sigurt, ia ka lyp borxh me arsyetimin se po ia kërcënojnë familjen për ato para. Burri ia ka jep në shtëpi, unë kam qenë prezent aty”, tha ajo.

Mirjeta Zekaj tha se pasi ia kishte dhënë këto para Kreshnik Halitit, të dy e kishin nënshkruar në një fletë edhe marrëveshjen për kthimin e borxhit në fjalë.
Atë kohë dëshmitarja tha se kishin për të paguar një pjesë të shumës për blerjen e shtëpisë se re, ndërsa i akuzuari borxhin duhej ta kthejë në atë kohë.

Ajo tregoi edhe për ditën kritike kur derisa ishte në shtëpi, bashkëshortin e saj e kishte telefonuar Kreshnik Haliti për t’u takuar për kthimin e borxhit.

Pas një kohe ajo tregoi se e kishin njoftuar përmes telefonit se kishte ndodhur një incident me bashkëshortin e saj te lokali që ishte në pronësinë e tij.
Por, i akuzuari Kreshnik Haliti kur i erdhi radha për t’i parashtruar pyetje dëshmitares e pyeti se a mund të përbetohet në fëmijët e saj dhe Kuran për deklaratën e dhënë.
Kurse dëshmitarja Mirjeta Zekaj tha se mund të përbetohet lirshëm sepse ka folur të vërtetën.

Para trupit gjykues sot dëshminë e ka dhënë edhe Haxhi Morina, i cili rrëfeu për momentet kur kishte parë duke u kacafytur dy persona.

“Zakonisht pi kafe mas punës në lokalin “Erioni Cafe”. E kam porosit kafen edhe jam dal jashtë edhe jam shku me ble cigare te një market aty afër. Tu shku i kam pa dy veta tuj u rrehë, por nuk u kam vu mendjen. Pasi i kam bërë dy-tre hapa e kam parë që është rrëzuar një person”, tha ai.

Njërin person që kishte rënë në tokë, dëshmitari e përshkroi me flokë, kurse tjetrin që po e godiste e përshkroi tullac.

Ai tha se nuk është i sigurt ta ketë parë duke e goditur me thikë personin që kishte rënë në tokë, mirëpo tregoi se pasi kishte parë shumë gjak i kishte rënë të fikët.
Gjatë seancës se sotme ka dëshmuar edhe Ardi Muqaj, i cili tha se prej 7 vitesh punon në lokalin që ishte në pronësi të Mentor Zekajt.

Edhe dëshmitari Muqaj tregoi për shoqërinë që kishin mes vete i akuzuari dhe viktima para ditës kritike.

Ai tha se ishte personi i parë që kishte shkuar pranë trupit të viktimës që gjendej shtrirë disa metra larg lokalit në lagjen “Fidanishte”.
Muqaj tha se menjëherë e kishte njoftuar Policinë e Kosovës dhe kishte njoftuar bashkëshorten e të ndjerit.

Edhe dëshmitari Fadil Vuçetaj gjatë dëshmisë se tij tregoi se afër marketit të tij, derisa kishte shkuar në një lokal tjetër, për t’i bërë disa para të imëta, tha se kishte dëgjuar dikë duke e thirrur në emër.
Më pas dëshmitari tha se e kishte vërejtur se bëhet fjalë për një person që i ngjasonte me Mentor Zekajn, mirëpo ai tha se nuk iu kishte afruar sepse disa momente me herët kishte dëgjuar disa krisma.
Pasi kishte hyrë në marketin e tij, ai tha se i kishte treguar një myshteriu ta njoftojë dikë në lokalin e Mentor Zekajt, sepse ai duket se është i plagosur.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/kater-deshmitare-deshmuan-per-vrasjen-ne-peje-511168/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme