Apostolova: Rezultatet e dobëta në arsim, rezultat i politikës

08:34 | 13 Mars 2018
Arbresh.info

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, ka shprehur zhgënjimin e saj në lidhje me ndërhyrjet politike në sistemin e arsimit.

Sipas saj, këto ndërhyrje kanë bërë që Kosova të ketë rezultate të dobëta në këtë fushë.

“Nuk duhet të ketë ndërhyrje politike, mësimdhënësit duhet të jenë të kualifikuar. Në këtë formë nxënësit nuk mund të dinë të lexojnë dhe të shkruajnë ashtu sikurse ka dalë në testin PISA, e dhimbshme, por realitet i vërtetë”, ka thënë Apostolova në publikimin e raportit “Zbatimi i Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë”.

Ajo më tutje ka shtuar se ndihet e zhgënjyer me rezultatet e dobëta të arsimit në Kosovë, si dhe për këtë arsye Kosova ka dështuar disa herë t’i bindë zyrtarët e BE-së në lidhje me progresin në arsim.

“Jam e zhgënjyer nga prezantimi i mëparshëm në lidhje me moszbatimin e këtij plani. Kosova patjetër që do të jetë një ditë në Evropë, por Kosova ka dështuar disa herë ta dëshmojë këtë progres në aspektin e arsimit”, ka shtuar ajo.

Në këtë tryezë Apostolova ka përmendur edhe grevat e arsimit, të cilat po mbahen në Kosovë dhe duhet reformë dhe kategorizim të pagave në mënyrë që të mos ndodhin gjëra të tilla.

“Duhet reformë në administratën publike dhe në kategorizimin e pagave, vetëm kështu mund të kemi progres e jo duke u çuar çdo organizatë të kërkojë paga, në çfarë kriteri e kërkojnë këtë. Reformat në arsim nuk janë të shpejta, ato japin rezultat vetëm pas kalimit të një gjenerate”, ka përfunduar ajo, shkruan “Zëri”.

Sipas ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyçi, në arsim ka ndërhyrje politike duke përmendur kështu edhe emërimin e tij si ministër.

“Vërejtjet se arsimi është i politizuar janë shumë me vend pasi që qysh në fillim sistemi i arsimit është formuar ashtu. Edhe unë vetë jam ministër i vendosur politikisht me ligj”, ka thënë Bytyçi./Zëri/

Të ngjashme