Asnjë deputet i VV-së nuk e voton demarkacionin

00:19 | 13 Mars 2018
Trina Galanxhi

 Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se sikur koalicioni qeverisës t’i kishte votat, çështjen e demarkacionit do ta sillte në Kuvend qysh më 2015 kur u nënshkrua Marrëveshja me Malin e Zi.

“Marrëveshja e demarkacionit është nënshkruar më 26 gusht 2015. Po të ishte në rregull, do të votohej në shtator të vitit 2015. Fal rezistencës, argumenteve të VV-së, e në një kohë të opozitës së bashkuar, nuk është se kjo marrëveshje vetëm u ndal, por edhe u demaskua. Paralajmërimet për një seancë për demarkacionin po bëhen për shkak të bisedave që ka koalicioni qeverisës me Listën Serbe. Nuk ka një deputet që është në Lëvizjen Vetëvendosje e që do ta votojë demarkacionin. Nuk e di që ndonjëri nga deputetët tanë të ketë dhënë shenjë se do ta votojë demarkacionin”, ka thënë Selimi në Interaktiv të KTV-së, raporton Koha.net.

Ai foli në emër të të gjithë deputetëve të VV-së, pavarësisht se një pjesë e tyre kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre në Lëvizje.

“Që nga formimi i këtij koalicioni, u pa se vendimet e rëndësishme i marrin natën. Ka pasur raste kur seancat e ditës janë ndërprerë për të vazhduar nëpër restorante gjatë natës. Pata deklaruar se punët e natës nuk e di si i zë drita. E keqja është se marrëveshjet e natës nuk po bëhen në Kuvend, por në vende tjera, në vende të fshehta. Të gjitha vendimet e rëndësishme, duket se edhe kjo qeveri edhe e kaluara, i kanë bërë larg syve të qytetarëve”, u shpreh deputeti i VV-së.

Sipas tij, koalicioni qeverisës po dëshiron që marrëveshjet e rëndësisë së veçantë t’i bëjë pa prezencën dhe larg syve të qytetarëve.

Duke ia kujtuar deklaratën e deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili javën e kaluar në Interaktiv tha se deputetët e VV-së e kanë gabim që nuk po e votojnë demarkacionin, Selimi tha se janë disa parametra që thonë se një marrëveshje ndërkombëtare hyn në fuqi pas votimit në Kuvend dhe nuk mund të ndryshohet njëanshëm.

“Si mund të pretendojmë se një marrëveshje e nënshkruar më 2015, marrëveshje e votuar në Kuvendin e Malit të Zi, të mund të ndryshohet njëanshëm nga Kuvendi i Kosovës. Këtu nuk kemi të bëjmë me marrëveshje tjetër. Është e njëjta me atë të vitit 2015”, tha ai.

Sipas Selimit, vetëm duke e kthyer në pikën zero këtë çështje, mund të arrihet deri te zgjidhja e saj.

“Kjo është Marrëveshja të cilën e kemi kundërshtuar me protesta masive, bashkë me AAK-në e Nismën. Ne nuk kemi ndryshuar dhe nuk ndryshojmë, sepse nuk ka ndryshuar Marrëveshja me Malin e Zi. Ajo që kanë nënshkruar dy presidentët, i Kosovës dhe i Malit të Zi, është vetëm deklaratë, dhe nuk është marrëveshje. Mali i Zi nuk e ndien veten të obliguar ndaj kësaj deklarate. Marrëveshja të cilës i referohet kjo deklaratë është miratuar në Parlamentin e Malit të Zi. Kjo deklaratë është munduar të përdoret si ambalazh gjoja se është ndryshuar marrëveshja me Malin e Zi. Ndoshta edhe për ta jusifikuar veten dikush me këtë”, tha ai.

“Mendoj se AAK dhe Nisma i kanë rënë pishman asaj që e kanë deklaruar më herët, duke u munduar që një deklaratë të presidentëve ta përdorin si ambalazh ndaj Marrëveshjes të cilën e kanë kundërshtuar”, theksoi Selimi.

“Pra, Marrëveshja e nënshkruar nga dy vendet në fjalë është ratifikuar në Parlamentin e Malit të Zi, dhe e njëjta nuk duhet të ratifikohet në Kuvendin tonë. Nëse ratifikohet nga ne, humbim territor… më shumë se 8 mijë hektarë”, shtoi ai.

Selimi tha se VV do të jetë kundër kësaj Marrëveshjeje, duke mos e konfirmuar nëse do të jenë prezentë në seancën kur do të votohet për këtë çështje.

Sipas Selimit, ka deputetë të koalicionit qeverisës që nuk do ta votojnë “humbjen e territorit”.

“Unë, edhe po të doja, edhe po të çmendesha, edhe po të shitesha, edhe po të mashtrohesha, nuk kam të drejtë të ndajë territor të Kosovës. Kemi argumente, kemi qëndrim se po humbet territori, por edhe sikur të donim, ne deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kemi të drejtë të japim territor të Kosovës. Kushdo që e voton Marrëveshjen për demarkacion, po bën diçka që nuk ka të drejtë, sepse ne thjeshtë nuk kemi kontratë katër vjeçare me territorin, me Republikën, me shtetin, por kemi obligim që të mbrojmë interesin e shtetit siç jemi betuar si deputetë. Ne nuk kemi të drejtë as karshi të gjithë atyre brezave që e kanë mbrojtur territorin, siç nuk kemi të drejtë as t’ua mohojmë brezave të ardhshëm të shfrytëzojnë territorin e tyre”, u shpreh ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme