Google ADS

“Zhvillimet që po ndodhin në VV po bëhen për ta dobësuar partinë”

21:23 | 12 Mars 2018
Trina Galanxhi

Mytaher Haskuka, kryetar i Komunës së Prizrenit, foli edhe për gjendjen në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai tha se gjendja në të cilën ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje si dhe procesi që është duke vazhduar, “po bëhet vetëm për ta dobësuar Lëvizjen Vetëvendosje”.

“Unë nuk shoh diçka tjetër këtu nga këta persona, këtu askush nuk do të përfitojë nga kjo që po ndodhë. Se si ka shkuar unë nuk po shoh që me të vërtetë se këta persona që tash po dalin nga VV-ja kanë dashur të debatojnë brenda Lëvizjes Vetëvendosje që me dal pastaj pas këtij debati me një reformë brenda VV-së”, tha Haskuka në “Puls” të KTV-së.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ka një status ku secili anëtar mundet me paraqit kandidaturën për kryetar të partisë.

“Kërkesa që ishte në fillim nga disa persona që Albin Kurti mos të kandidojë për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte e sinqertë. Nuk mund të thuash se nuk ka demokraci të brendshme edhe të shantazhosh, nuk shkojnë këto dy gjëra bashkë. Nëse jemi për demokraci të brendshme duhet ta respektojmë Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë e partisë dhe brenda atyre institucioneve duhet të bëhet ndryshimi. Lëvizja Vetëvendosje është shumë demokratike në aspektin e procedurave dhe statutit të partisë. Unë pas gjithë kësaj, krejt çka po shoh është mos sinqeriteti i këtyre që po dalin nga VV-ja. Kanë pasur kohë që të aplikojnë dhe të tregojnë platformën për pozitën e kandidatit për kryetar. Unë mendoj se Albini është kandidati më i duhur, ishte kandidati më i votuar në zgjedhje nacionale dhe ka përgatitjen më të mirë brenda Lëvizjes Vetëvendosje”, u shpreh Haskuka.

“Unë personalisht në debatet e brendshme mes Kryesisë dhe deputetëve nuk kam pa dallime thelbësore se kah duhet të shkojë Vetëvendosja. Unë nuk kam parë debate që është folur për idetë e jo për atë që po quhet ‘për babën’”, theksoi ai.

Haskuka tha të jetë kyçur shumë vonë në Lëvizje ndërsa thekson se “askush deri më sot nuk më ka thënë se ti nuk bën me fol se je i ri në parti”.

“Pra, hapësira ka qenë e njëjtë sikur për atë që është kyçur në VV herët edhe për mua që jam kyçur shumë vonë”, tha kreu i Komunës së Prizrenit.

Haskuka u deklarua edhe për vendimin e tij për të qëndruar në Lëvizjen Vetëvendosje, duke mos iu bashkëngjitur grupit të të pakënaqurve.

“Për fund, unë si Mytaher, do të qëndroj në Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do të largohem”, theksoi Haskuka./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme