Qeveria greke merr vendim për skandalin ku presidenti u fut me revole në fushë

15:17 | 12 Mars 2018
Arbresh.info

Qeveria greke ka marrë vendim të ndërpritet në një afat të pacaktuar kampionati grek i futbollit, pas ngjarjeve të një dite më parë në stadiumin “Tumba” të qytetit të Selanikut.

Vendimi është marrë mesditën e së hënës, pas një takimi që ka pasur me kryeministrin grek Alexis Tsipras, zv.ministri i Atletikës Georgios Vasiliadis.

“Për mëse 3 vite – ka thënë ai, – qeveria greke ndodhet në një betejë për të normalizuar situatën në kampionatin grek dhe në sektorin e futbollit në përgjithësi. Për arritjet që kemi bërë, duke marrë përsipër edhe koston politike, nuk do të lejojmë fenomene të tilla të së kaluarës, që na kthejnë pas”.

Sipas tij, do të ketë kontakte edhe me aktorë të të gjithë ekipeve, por edhe të UEFA-s, e kampionati nuk do të fillojë nëse nuk arrihet në një marrëveshje të rakorduar nga të gjithë, duke mos përjashtuar edhe një “Grexit” për futbollin grek, e thënë ndryshe mospjesëmarrje në kupat e Europës.

I gjithë opinioni publik, mediet dhe partitë politike kanë dënuar aktin e djeshëm të manjatit rusogrek, president i ekipit të PAOK-ut të Selanikut, Ivan Savidis, që ka hyrë në fushë duke pasur në brez pistoletën e tij personale, e duke kërcënuar me jetë arbitrin e ndeshjes.

Ngjarja ka ndodhur pas anulimit të vonuar të golit të vetëm të takimit, në minutën e 90, gjë që ka shkatuar indinjimin e më shumë se 26 mijë tifozëve në stadiumin e Selanikut, raporton Tch. Por, ndërsa zemërimi i tyre nuk ka kaluar kufijtë e dhunës, Ivan Savidis ka tejkaluar çdo kufi.

Ngjarja dhe fotot nga hyrja e tij në fushë me armë në brez kanë bërë xhiron e medieve botërore të sportit. Ndërkohë, ndaj tij dhe 4 truprojave personale, të cilët kanë pasur gjithashtu armë gjatë hyrjes në fushë, është dhënë urdhërarresti, por ndërkohë nuk po gjenden.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme