Nagavci: Ndaloni fyerjet ndaj të dorëhequrve, të ecim përpara me mirënjohje

08:26 | 12 Mars 2018
Arbresh.info

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga aktivistët që të ndalojnë fyerjet në drejtim të dorëhequrve Vetëvendosje.
Nagavci ka theksuar se e kupton zemërimin e aktivistëve pasi sipas saj kanë punuar shumë që Lëvizja të arrinte rezultate por uron që të arrijnë të vetpërbahen dhe të mos bien në grackën e inatit.

Ajo gjithashtu ka folur për ata të cilët vazhdojnë të jenë në Vetëvendosje duke thënë se do të vazhdojnë në realizimin e programit të Vetëvendosjes, për platformën e Albin Kurtit.

Ky është postimi i plotë:

Zhvillimet e fundit në Lëvizjen VETËVENDOSJE! me të drejtë kanë brengosur mbështetësit e qytetarët gjithandej.
Duket sikur u prish magjia dhe gjithë ajo shpresë e qershorit të vitit të kaluar! Sado që personalisht besoj se për të mirën e vendit, dallimet duhej të ishin adresuar dhe zgjidhur në forumet e organizatës dhe se dorëheqjet nuk ish dashur të ndodhnin, tashmë s’ka kthim prapa.
Goditja që ju bë Lëvizjes për mua është e padrejtë dhe e pakuptueshme! Por, kjo situatë duhet të na shërbejë për angazhim të shtuar e punë për ndryshime përparimtare e të domosdoshme. Duhet vazhduar rruga përpara, pa hatërmbetje, pa ofendime e fyerje. Tash duhet analizë e mirëfilltë, vëmendje e kujdes!
Secili nga ne bëjmë zgjedhjet tona në jetë dhe gjatë rrugëtimit tonë na bashkohen rrugët me ata me të cilët kemi ide të njejta apo ngjajshmëri të qëndrimeve, ashtu si dhe na ndahen kur fillojnë ndryshimet në qëndrime dhe bindje.
Ajo që është e rëndësishme për mua është të ruajmë dinjitetin, secili për veten e tij. Mirënjohja për sukseset e përbashkëta duhet të na kufizoj nga inati. Kritika duhet të jetë konstruktive, me argumente dhe pa ngarkesa. Tek e fundit qëndrimet negative nuk sjellin suksesin.
E kuptoj zemërimin e aktivistëve, kanë punuar shumë që Lëvizja të arrinte këtë rezultat. Por, uroj të arrini të vetpërmbaheni e të mos bini në grackën e inatit. Shumë nga ju keni sakrifikuar nga vetja, keni ndihmuar sepse na keni besuar, andaj me të drejtë mund të ndjeheni të lënduar e të dëshpëruar, por duhet të mos harrojmë se dashamirësia dhe mirësjellja janë shumë më produktive se imponimi, fyerjet e dhuna dhe se qytetarët e bëjnë vet vlerësimin.
Unë falenderoj të gjitha aktivistet e aktivistët, miqt e mikeshat nga Lëvizja, kam mësuar shumë gjatë kësaj kohe dhe kam respekt për kontributin e secilit e secilës, nuk i mirëkuptoj disa që zgjodhën rrugë tjetër, por kjo ishte zgjedhja e tyre.
Ne të tjerët, bashkë me të gjithë ata që po vazhdojnë të anëtarësohen e të na mbështesin duhet të angazhohemi për realizimin e programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për platformën e Albin Kurtit, të cilën e mbështetëm në zgjedhjet e fundit kur i dhamë besimin që të jetë kryetar i Lëvizjes.Jemi shumë në këtë rrugëtim, andaj ju ftoj që të ecim përpara me besim, me mirënjohje, me dashuri e mirësi!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme