Kosova e gatshme të bashkëpunojë me vendet e Evropës Juglindore në ekonomi

18:36 | 11 Mars 2018
Arbresh.info

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës mori pjesë në takimin e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, me temën: “Mundësitë për bashkëpunim ekonomik ndërmjet vendeve pjesëmarrëse në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore”, organizuar nga Asambleja e Madhe Kombëtare Turke në Stamboll, më 9-11 mars 2018.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës e përfaqësoi deputetja Hykmete Bajrami, anëtare e delegacionit të përhershëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore.

Bajrami në fjalën e saj prezantoi progresin që ka bërë Kosova në përmirësimin e klimës së investimeve, tregoi për potencialet e vendit dhe foli për gatishmërinë e të gjitha institucioneve për bashkëpunim ekonomik rajonal.

Qëllimi i këtij takimi ishte intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë dhe të barabartë midis vendeve pjesëmarrëse, në fushën ekonomisë, energjisë, infrastrukturës dhe bashkëpunimi tregtar.

Takimin e kryesoi Turqia, e cila njëherësh ishte dhe nikoqire.

Përveç Kosovës, pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe deputetët përfaqësues nga Shqipëria, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Greqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Në fund të takimit anëtarët e Komisionit miratuan Raportin dhe Rezolutën.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme