Agjenda e ngarkuar politike në Kosovë e ka lënë nën hije dhe po e pengon zhvillimin ekonomik të vendit, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës. Ndër të tjera ai thotë se komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria që t’i largojë njerëzit joprofesionalë që tashmë janë vënë në pozita kyçe.
Rel: Zoti Gërxhaliu, Qeveria e Kosovës, pas formimit të saj ishte zotuar se do t’i kushtojë rëndësi të madhe zhvillimit ekonomik, apo me konkretisht, sektorit privat. Cili është intensiteti i angazhimeve të ekzekutivit në këtë drejtim?
Safet Gërxhaliu: Definitivisht, agjenda politike që është duke dominuar në Kosovë është duke e dëmtuar një agjendë të tillë të paraparë dhe të planifikuar nga ana e Qeverisë së Kosovës për procese ekonomike. Por, duhet theksohet e vërteta që sektori privat është duke bërë hapa shumë më të shpejtë për proceset ekonomike se sa politika, dhe në këtë drejtim, besoj që këto viteve të fundit karakterizohet me një dialog intensiv publiko-privat.
Prapë po them se nëse dikush e meriton epitetin e heronjve të Kosovës të pasluftës, nuk janë politikanët që humbin kohë në tentativë për të zbukuruar të kaluarën, por komuniteti i biznesit që e ndërton ardhmërinë, sepse krijon vende të reja të punës, gjeneron buxhet dhe mbi të gjitha i përshpejton proceset integruese dhe përmirëson imazhin e Kosovës.
Rel: Sipas Odës Ekonomike të Kosovës , cila është gjendja e sektorit privat apo me cilat barriera po ballafaqohet ky sektor?
Safet Gërxhaliu: Po e filloj përgjigjen e kësaj pyetjeje, në takimin e fundit që kishim me kryeministrin e Kosovës (Ramush) Haradinaj, ku isha me afro 80 biznesmenë dhe kërkesa e tyre ka qenë:‘Zoti kryeministër, ne nuk kërkojmë ndihmë, vetëm mos na pengoni. Në qoftë se mendoni të na ndihmoni, atëherë eliminoni burokracinë dhemos lejoni që njerëzit e padijshëm të vendosen në pozita kyçe, sepse ata gjenerojnë korrupsion, ata gjenerojnë burokraci dhe nga kjo burokraci, dëmtohet biznesi vendor dhe në të njëjtën kohë dëmtohet imazhi i Kosovës, ndërsa demotivohen i investitorëve të huaj’.
Në këtë drejtim, besoj që nëse mendohet drejt ardhmërisë dhe që vërtet ekonomia të jetë prioritet për Qeverinë aktuale, atëherë sundimi i rendit dhe ligjit duhet të jetë prioritet, sepse ne mund të flasim për reforma, për strategji, por në qoftë se nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit, nuk kemi edukim të personelit në administratën publike, paraprakisht do të jemi të gjykuar për të dështuar.
Në këtë drejtim, besoj që është koha kur duhet ekspertiza shkencore dhe sundimi i rendit dhe ligjit të jenë prioritete, që vërtetë Kosova ta zë hapin me vendet e rajonit dhe më gjerë. Në qoftë se i analizoni vendet e rajonit, janë duke bërë reforma vërtet të mëdha, reforma të cilat po konkretizohen me investime të huaja të brendeve ndërkombëtare, që për fat të keq në Kosovë ato nuk janë duke ndodhur.
Miqtë po i shndërrojmë në armiq
Rel: Zoti Gërxhaliu, këto reforma a po pengohen nga agjenda politike, konkretisht nga demarkacioni, a po ndikojnë edhe në sferën ekonomike në vend, rrjedhimit tek investitorët e huaj?
Safet Gërxhaliu: Në qoftë se do të bëhej apel në qarqet më armiqësore të Kosovës dhe të apelohet që të hartohet një strategji që ta shkatërrojë Kosovën, besoj se nuk do të dinin të vepronin më keq, sesa që po vepron garnitura politike aktuale e Kosovës.
Janë tri fenomene që ka aktualizuar kjo kategori e politikanëve në Kosovë. E para, marrëveshjet ndërkombëtare i kanë shndërruar në luftë për pushtet dhe në luftë për pozitë dhe opozitë. E dyta është zyrtarizimi i dhunës dhe e treta, që është më shqetësuese, është zbehur dhe nuk kanë ekzistuar linjat e kuqe me ambasadat mike të Kosovës, qoftë ato të Quint-it, në veçanti ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të kaluarën, kur është sjell një vendim për të mbështetur Kosovën, ka qenë vërtet një fjalë e fundit e këtyre ambasadave dhe kjo garniturë politike nuk i vlerëson më as rekomandimet e shteteve mike, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është dëm i madh.
Në të kundërtën, vendet e tjera të rajonit edhe armiqtë tentojnë t’i bëjnë miq. Ne miqtë po i shndërrojmë në armiq dhe në kundërshtarë, duke e ditur se është dëm i madh. Fjalët që kanë dominuar më së shumti në këto tre vjetët e fundit, definitivisht ka qenë fjala demarkacion, fjala Asociacion dhe liberalizim. Por, fati i këtyre tri problemeve shumë më tepër ka qenë në duart e deputetëve, që flasin në emër të popullit, por më së paku veprojnë në emër të popullit.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën