Google ADS

Kuvendi krejtësisht i paorganizuar, dështon në mbajtjen e seancave

08:01 | 11 Mars 2018
Arbresh.info

Ndonëse Kuvendi i Kosovës u kritikua për numër të vogël të mbajtjes së seancave parlamentare, kohëve të fundit po thërret dy deri në tre seanca brenda javës dhe nuk po arrin t’i përfundojë me kohë, shkruan arbresh.info

Vetëm këtë javë janë mbajtur tri seanca parlamentare. Të hënën me 5 mars është mbajtur seanca solemne për nder të 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Të mërkurën me 7 mars është mbajtur seanca e jashtëzakonshme ku ka pasur debat parlamentar për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga EQAR. Dhe me 8 mars është mbajtur debat parlamentar për dhunën në familje.

Ndërsa, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veselit të premten bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahen edhe tri seanca.

“Kemi vazhdim të seancave parlamentare të martën dhe të mërkurën ndërsa ditën e enjte kemi seancë të rregullt”, tha Veseli.

Albert Krasniqi, monitorues i Kuvendit nga KDI ka thënë se Kuvendi i Kosovës është krejtësisht i paorganizuar.

Sipas tij, Kuvendi po thërret seanca të cilat nuk po mund t’i përfundojë me kohë.

“Kuvendi krejtësisht i pa organizuar. Thërret seanca plenare që i ngarkon me nga 28 pika të rendit të ditës – seanca nuk përfundon. Në ndërkohë thirret seancë të re, një tjetër të jashtëzakonshme edhe një debat parlamentar. Asnjë nuk përfundon me kohë. Kështu të hapura i mbesin nga tri-katër seanca”, ka shkruar Krasniqi.

Thirrja e shpeshtë e seancave po çrregullon organizimin e punës së komisioneve parlamentare dhe planifikimet e deputetëve, thotë Krasniqi.

Arton Demhasaj nga organizata jo qeveritare “ÇOHU” ka thënë në një prononcim për “Arbresh.info” se shumica e seancave parlamentare kanë dështuar për arsye të ndryshme.

“Shumica e seancave të Kuvendit kanë dështuar shpeshherë për mungesë të kuorumit ose për mungesë të votave të mjaftueshme për të kaluar procese të caktuara dhe për arsye të tilla seancat janë ndërpre e tash është obligim ligjor që këto seanca duhet me u vazhdu”, thotë ai.

Sipas Demhasaj, shumë projektligje kanë mbetur peng për shkak të mosfunksionimit normal të Kuvendit.

“Në kuadër të kësaj kemi parë se nuk ka një funksionim normal të kuvendit sepse shumë pak ligje po diskutohen dhe po miratohen. Tash të gjitha ato procese që kanë mbetur peng duhet të fillojnë gjatë ditëve të ardhshme ku me siguri do të ketë më shumë seanca”, ka thënë Demhasaj.

Për javën e ardhshme, kryesia e kuvendit ka vendosur që vazhdimi i seancës plenare të mbajtur më 8, 9 shkurt dhe 1 mars, me pikat e papërfunduara, të mbahet të martën, më 13 mars, në orën 10:00.

Ndërkaq, të mërkurën, më 14 mars po në orën 10:00, vazhdon seanca e datës 2 mars dhe ajo e datës 8 mars.

Dhe të enjten, Kuvendi mblidhet në një seancë të re, në të cilën do të shqyrtojë projektligje dhe çështje të tjera nga përgjegjësitë e tij kushtetuese./MiraAvdimetaj/Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme