Gjykata e Apelit e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, marrë me 30 nëntor të vitit të kaluar, me anë të cilit ishte refuzuar kërkesa për hedhjen e aktakuzës ndaj ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Sokola Bashota, drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Esat Raci dhe asamblistëve të kësaj komune, Enver Berisha e Fadil Gashi.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Apelit, Arbër Jashari, i cili ka bërë të ditur se lënda në këtë gjykatë është pranuar më 25 janar të këtij viti.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Gashi, avokatit Besnik Berisha, lënda duhet anuluar dhe kthyer në rivendosje.
“Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, aktvendimi i ankimor është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 250 i KPPRK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas Apelit, në arsyetim, gjykata e shkallës së parë deklaron se pajtohet me mbrojtësin e të akuzuarit Fadil Gashi, që argumenton se ky i akuzuar nuk ishte person zyrtar në kuptimin e nenit 120 të KPRK-së. Tutje thuhet se kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj në arsyetim të vendimit të atakuar ka deklaruar se është i mendimit se veprimet e të pandehurit Gashi, siç mund të reflektoj nga rrethanat faktike të paraqitura në aktakuzë, kanë të bëjnë me atë të ushtrimit të ndikimit në vendim marrje.
Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se Apeli nuk mund t’a pranoj vendimin e gjykatës së shkallës së parë, pasi që i njëjti është marrë me shkelje të së drejtës thelbësore të palës. Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk duhet të shpreh mendim se a është personi i akuzuar person zyrtar apo jo, dhe të deklarohet se çfarë vepre përbëjnë veprimet e të akuzuarit.
“Në rivendosje Gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminoj shkeljet e cekura më lartë dhe të arsyetoj mirë refuzimin e pretendimeve të mbrojtësve të parashtruara në kërkesat për hedhjen e aktakuzës, e pastaj pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimet e mbrojtësve të akuzuarve, të merr një vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet në fund të aktvendimit.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas pretendimit të prokurorisë, gjatë procesit të ndarjes së banesave me qira, në pronësi të Komunës së Klinës, kanë bërë marrëveshje politike (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë), për shpërndarjen e banesave. Pas kësaj marrëveshje, të pandehurit kanë ndikuar në procesin e vendimmarrjes, ku kanë anashkaluar aplikantët me gjendje të rëndë ekonomike dhe kanë shpërblyer shokët e tyre partiakë me banesa.
Sipas prokurorisë, dy të pandehurit Esat Rraci dhe Fadil Gashi, duke shfrytëzuar dispozitat e Ligjit për shitjen e banesave, në të cilat ekziston e drejta banesore, kishin paraqitur kërkesa me shkrim për blerjen e banesave, të cilat u ishin ndarë atyre. Por, si rezultat i hetimeve, procesi i blerjes ishte pezulluar.
Prokuroria, gjithashtu e ngarkon kryetarin e Klinës, Sokol Bashota, dhe Enver Berishën, edhe me veprën penale “mos-raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se në periudhën janar 2009 deri në qershor 2016, nuk kanë përfshirë të dhënat ose informacionet, kur kanë paraqitur deklarimet e tyre pasurore në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ndryshe, të pandehurit ngarkohen edhe me veprën penale “mashtrimi në detyrë”.
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...
Amorimi sot mban seancën e parë stërvitore me Unitedin