Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FBK-së mbahet më 5 prill

12:08 | 8 Mars 2018
Arbresh.info

Erolld Belegu ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK).

Këtë dorëheqje ai e ka bërë pasi Agjencia Kundër Korrupsionit ia kishte dërguar opinionin e saj ku thuhet se: “Ushtrimi i funksionit kryetar të FBK-së, krahas ushtrimit të funksionit-Këshilltar i Jashtëm i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, është i ndaluar”. Ndërsa kryetari Belegu ka bërë me dije se dëshira e tij është që FBK-ja ta ruajë reputacionin e shkëlqyeshëm që ka në opinionin vendor dhe ndërkombëtar. “Duke dashur ta ruaj reputacionin e shkëlqyeshëm që Federata e Basketbollit të Kosovës e ka në opinionin vendor dhe tek partnerët tanë në FIBA dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë, për të cilin besoj se ekipi i udhëhequr nga unë ka merita të konsiderueshme, si dhe reputacionin tim personal, kam vendosur të tërhiqem nga ky post dhe i lë organet e FBK-së që, sipas Statutit dhe akteve të tjera normative në fuqi, ta procedojnë organizimin e Kuvendit Zgjedhor”, ka thënë ai.

Pas dorëheqjes së Belegut, bordi i FBK-së konform Statutit dhe Rregullores së Punës së Kuvendit e ka caktuar mbledhjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm më 5 prill në Prishtinë. Sipas Statutit të FBK-së, kandidatët për kryetar mund të propozohen nga bordi i Federatës dhe nga shtatë (7) delegatë të Kuvendit, të cilët me deklaratë me shkrim drejtuar Bordit dhe Sekretarit të Përgjithshëm kandidojnë një kandidat për kryetar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme