SBASHK me grevë njëditore më 12 mars

10:53 | 8 Mars 2018
Arbresh.info

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se më 12 mars, në të gjitha institucionet arsimore do të ketë një grevë njëditore, shkruan arbresh.info.

Në këtë komunikatë thuhet se ” greva do të fillojë në ora 9 dhe do të vazhdojë deri në orën 12 të ditës së hënë, 12 mars 2018″.

SBAShK, njofton se punëtorët arsimor të të dy ndërrimeve do të jenë bashkë në institucionet arsimore gjatë kohës së grevës dhe në mbyllje të saj do të shënohen në listat e pjesëmarrësve në grevë.

Komunikata e plotë e SBAShK-ut:

“Të nderuar kolege e kolegë në tërë institucionet arsimore të Kosovës ju informojmë se SBASHK-u nuk ka pushuar se angazhuari që përmes dialogut me Qeverinë të arrihet plotësimi i kërkesave tona dhe që Ligji mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta të marrë dritën e gjelbër dhe të shkojë në Parlament.

Do theksuar se Kryeministri Haradinaj dhe Ministri Bytyqi kanë shtuar angazhimet që kjo çështje të zgjidhet, por sipas informacioneve tona është ministri Bedri Hamza dhe Ministria e Financave që pengojnë, pa as edhe një arsye të qëndrueshme, realizimin e kësaj kërkese madhore dhe prandaj duke u bazuar në Rezolutën e Kongresit 7 të lidhur me veprimet sindikale, SBASHK-u shpall grevë njëditëshe më 12 mars në të gjitha institucionet arsimore, gjegjësisht në shkollat fillore e të mesme dhe Universitet duke përjashtuar çerdhet .

Greva do të fillojë në ora 9 dhe do të vazhdojë deri në orën 12 të ditës së hënë, 12 mars 2018.

Punëtorët arsimor të të dy ndërrimeve do të jenë bashkë në institucionet arsimore gjatë kohës së grevës dhe në mbyllje të saj do të shënohen në listat e pjesëmarrësve në grevë.

U drejtohemi prindërve që më 12 mars mos t’i nisin fëmijët e tyre për në shkollë sepse këtë ditë nuk ka mësim ngase është grevë njëditore.

Urojmë që ky veprim i radhës , gjegjësisht greva njëditore e 12 marsit të ndikojë në reflektimin pozitiv e konkret të Ministrisë së Financave, në të kundërtën pa dëshirën tonë më 13 prill do të jemi të shtyrë duke respektuar Rezolutën e Kongresit 7 të SBASHK-ut lidhur me veprimet sindikale të nisim grevën e përgjithshme e në kohë ta pacaktuar, gjegjësisht deri në realizimin e plotë të kërkesave tona.

SBASHK-u kërkon mirëkuptim nga prindërit, nxënësit dhe studentët dhe i lut ata që ta ngritin zërin dhe të kërkojnë nga Qeveria që të zbatojë sa më shpejtë obligimet për të cilat është zotuar vetë duke plotësuar kërkesat legjitime të SBASHK-ut në mënyrë që të mos ketë nevojë në të ardhmen për veprime sindikale, gjegjësisht për greva, të cilat do të ndodhin nëse Qeveria nuk reflekton”, thuhet në komunikatë./arbresh.info/.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme