Google ADS

Vërshime në disa qytete tjera në Maqedoni

20:49 | 7 Mars 2018
Arbresh.info

Shkrirjen e borës dhe shiun e ditëve të fundit nuk e përballoi kanalizimi atmosferik në Tetovë.
Ujërat që dolën jasht kanalizimit bllokuan rrugën e fshatit Reçicë e Vogël.

Banorët thonë se janë lodhur nga premtimet boshe.

Ata kërkojnë që problemi të zgjidhet dhe mos të kenë më drojë nga vërshimet.

“Nuk ka as një iniciativë sikur e shihni. Prej katër vjetësh rregullisht ndodhin këto gjëra. Nuk ka zgjidhje pa u ndërtuar kjo nga lartë. Edhe këmbësorët janë në rrezik, jo vetëm shtëpitë. Njerëzit në këmbë nuk munden të kalojnë, e shihni vet si është situata, kemi humb shpresat dhe nuk dimë çfarë të themi më”, tha një banorë i Tetovës.

Përfaqësuesit e komunës së Tetovës thonë se problemi qëndron edhe tek banorët meqenëse kanë ndërtuar shtëpi në vende ku kalon kanali atmosferik.

“Çfarë kanë kërkuar të ndërtojnë shtëpia këtu, nëse shkojmë me ligj. Kjo është punë vërshimesh. Të ishte e hapur si më herët, do të bënim një koritë dhe do të ishit rehat. Si në Shipkovicë si këtu koritat i kanë zënë me shtëpia me prona”.

Isen Demiri nga sektori për veprimtari publike Tetovë thotë se kanë gjetur zgjidhje vetëm për ujërat e përditshëm, kurse jo edhe për vërshimet.

“Ne kemi gjetur zgjidhje vetëm për ujërat e përditshme, kurse për ujërat e vërshimeve është plani aksional. Është ai me të cilin parashihen penda dhe investime më të mëdha nga ana e Qeverisë”, u shpreh Isen Demiri, nga Sektori për Veprimtari Publike.

Nga Qendra për Menaxhim me Kriza për TV21 thanë se nuk ka pasur vetëm në rajonin e Tetovës vërshime, por edhe në disa vende tjera.

“Gjatë ditës së djeshme lumi Vardar ka dalë nga shtrati në Komunën Aerodrom, respektivisht tek ura drejt Jurumleri dhe në Komunën Zellenikovo, tek vendi Zikani, Bitel, Çuka dhe Sredorek. Në komunën Debarce, tek vendi i quajtur Sllivovski Anovi, janë vërshuar pjesë e vogël e të tokës bujqësore, të disa oborreve të shtëpizave vikendi, për shkak të ujërave të akumuluar, që është mbledhur për shkak të konfigurimit të atij terreni”, tha Nadica Vçkova, nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Vërshime pati edhe në rajonin e Ohrit, Manastirit dhe Shkupit, ndërsa në rrugën Bogovinë-Novosell, po punohet për pastrimin e rrugës ku nga vërshimet kishte kishin rrëshqitur shkëmbinj. Gjatë ditës së sotme është punuar për pastrimin e rrugës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme