Kryetari Bahtiri me bashkëpunëtorët e tij bënë homazhe në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz

14:12 | 6 Mars 2018
Arbresh.info

Në shenjë nderimi për përvjetorin e 20 të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jetës dhe veprës heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe madhështisë vetëflijuese të familjes Jashari, kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri së bashku me bashkëpunëtorët e vet dhe nënkryetari i komunës së Prishtinës Selim Pacolli  si dhe deputeti Islam Pacolli kanë vendosur buqeta me lule në Kompleksin Memorial në Prekaz, shkruan arbresh.info.

Delegacioni nga Mitrovica të cilët vizituan kullën e Jasharajve,  janë pritur nga Rifat Jashari dhe pjesëtarë tjerë të familjes së Heroit Adem Jashari.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka thënë në kullën e Jasharajve se vepra madhore e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari është themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ai me tutje ka shtuar që sot më shumë se kurrë, të gjithë duhet të bëhemi së bashku për të mirën e vendit tonë, dhe të kujtojmë  sakrificën dhe veprën e familjes Jashari dhe trimave të tjerë, të cilët e shkruan historinë e vendit.

Po ashtu  delegacioni nga Mitrovica me homazhe dhe buqeta me lule i kanë nderuar edhe dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol./arbresh.info/

Homazhe

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme