Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se vepra e familjes Jashari dhe e Komandantit Legjendar Adem Jashari duhet nderuar e çmuar edhe më shumë.
“Si luftëtarë e shohim si obligim shtesë që të nderojmë veprën dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë Qeriqi në Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se ka qenë motiv shtesë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të mobilizohen dhe luftojnë për liri pas ngjarjeve të marsit të vitit 1998 në Prekaz.
Qeriqi thotë se vepra e Adem Jasharit po respektohet, mirëpo thotë se duhet respektuar e çmuar edhe më shumë duke qenë se familja Jashari ka rënë për lirinë tonë, raporton Koha.net.
Duke folur për mos-mirëmbajtjen e kompleksit “Adem Jashari” në Prekaz, Qeriqi tha ato objekte janë trashëgimi dhe duhen trajtuar si të tilla.
“Institucionet e Kosovës nuk janë marrë me to. Vërehet se është dëmtuar mjaft. Por, mendoj se duhet ruajtur kjo trashëgimi”, tha ai.
Ndërsa, në lidhje me seancën e sotme solemne të Kuvendit të Kosovës, ku pati mungesë të shumë deputetëve, tha se kjo është joserioze nga ana e tyre pasi bëhet fjalë për vepra të mëdha të familjes Jashari.
Duke folur për listat e fryra të veteranëve të luftës, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së tha se kjo ka bërë që luftëtarët të shihen ndryshe nga populli.
“Luftëtari i UÇK-së po shihet më ndryshe në sytë e popullit pas fryrjes së listave të veteranëve. Kam pasur rastin që në Gjermani të vizitoj varrezat e luftëtarëve amerikanë dhe rreth 200 metra para të afroheshim aty, nuk punonin telefonat – kjo për faktin se ata kanë nevojë për qetësi. Fatkeqësisht tek ne nuk ka respekt të tillë”, tha Qeriqi.
Tutje, Qeriqi foli edhe për pensionet e veteranëve, duke thënë se i tërë ky trajtim më i mirë ndaj tyre erdhi pas presioneve të bëra nga vet ata ndaj organeve të shtetit.
Në një bisedë me hetues të Prokurorisë së Shtetit, Qeriqi tha se u ka ofruar atyre mënyrë më të lehtë për të zbuluar se kush ka qenë e kush jo në luftë.
“Mënyra më e lehtë është shfrytëzimi i arkivave të ushtarëve të UÇK-së. Janë arkivat dhe Prokuroria e Shtetit mund të bazohet në ato arkiva për të parë numrin e saktë të ushtarëve të UÇK-së. Janë tri arkiva, dhe në të tri ato mund të gjenden të gjithë emrat. Nuk dalin 60 mijë veteranë, por janë rreth 15-17 mijë sosh. Edhe Kryeparlamentari [Kadri Veseli] e ka pranuar se janë fryrë listat, por fatkeqësisht nuk po merren organet e rendit me këtë punë”, theksoi Qeriqi.
“Listën e ka fryrë Komisioni Qeveritar dhe me sa e kam parë unë, vetëm Zona e Shalës ka dalë mirë, ndërsa në Zonat tjera ka pas fryrje. Ka raste kur një 13 vjeçar është në listë dhe kjo është bërë për të fituar materialisht. Politika ka qenë ajo që e ka bërë këtë fryrje”, u shpreh ai.
Qeriqi foli edhe për angazhimin e tij në politikë, duke qenë në listën për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai thotë se ka qenë kërkesë edhe e Lëvizjes e edhe e bashkëluftëtarëve që të kyçet në politikë, por thotë se është mjaft i angazhuar.
Thotë se, edhe pse është i rreshtuar tashmë politikisht, nuk bën dallime të tilla për mbrojtjen e të drejtave të veteranëve.
“Nuk kam bërë asnjë dallim. Kur kam pasur mundësi jam munduar t’i ndihmoj të gjithë veteranët, pavarësisht orientimeve të tyre politike apo rajoneve prej nga vijnë”, shtoi ai.
Ai thotë se nuk është marrë shumë me problemet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje sepse thotë se ka pasur probleme shëndetësore “nga plagët e luftës”.
Për Gjykatën Speciale, Qeriqi tha se është gjykatë e padrejtë sepse nuk po merret me krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë.
“Bashkësia ndërkombëtare i ka lënë anash krimet, masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve. Nuk jam kundër hetimit, por të jetë i drejtë për të gjithë”, theksoi ai.
Në lidhje me deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e pati quajtur Ambasadorin Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, “palaço”, Qeriqi thotë se kjo deklaratë është e pamatur.
“Deklaratat e Haradinajt janë të papranueshme. E çmoj SHBA-në për çlirimin e ndërtimin e Kosovës, dhe duhet të jemi të kujdesshëm në raport me SHBA-në”, tha ai./Koha.net/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...