15:46 | 5 Mars 2018
Arbresh.info
Pep Guardiola dhe Manchester City janë në rrugën e duhur për të thyer disa rekorde në nëntë javët e mbetura nga përfundimi i Premier League.
Deri në shtatë rekorde të reja mund të arrijë ekipi i “qytetarëve” në atë që duket një rrugë e pashmangshme drejt pushtimit të ligës angleze, raporton Telesport.
- Numri i pikëve të grumbulluara në një Premier League është 95. E kemi fjalën për pikët e Chelsea nën drejtimin e Jose Mourinhos, grumbulluar në sezonin 2004-2005. Me parashikimin e renditjes aktuale (78 pikë), Manchester City i Pep Guardiolës do të shkonte në kuotën e 102 pikëve javën e fundit të kampionatit.
- Fitoret. Një rekord shumë i freskët, i vendosur nga Chelsea i Antonio Conte, i cili e fitoi titullin e Premier League në sezonin e kaluar. Blutë grumbulluan 30 fitore. Manchester City ka aktualisht 25 fitore, në këtë kampionat, dhe është në rrugën e duhur për të arritur 33 të tilla.
- Golat e shënuar. Manchester City ka shënuar 83 gola dhe, nëse do të vazhdojë në këtë linjë, do të arrijë në kuotën e 110 golave në fund të kampionatit. Një mundësi për të tejkaluar 103 golat e shënuar nga Chelsea në sezonin 2009-2010, me Carlo Ancelottin në stol.
- Dallimi i golave. Golaverazhi më pozitiv është +71 në Premier League, gjithashtu i mbajtur nga Chelsea i Carlo Ancelottit, sezoni 2009-2010. Mesatarja aktuale që mund të vendosë ekipi i Pep shkon në +83.
- Përparësia nga vendi i dytë. Tani, Manchester City ka 18 pikë më shumë se Liverpool dhe 19 pikë avantazh ndaj Manchester United. “Djajtë e Kuq” kanë një ndeshje më pak, që do ta luajnë sonte, kundër Swansea. Në progresin e tyre deri në fund të kampionatit, “qytetarët” mund të shkojë deri në 22 pikë më shumë se vendi i dytë. Rekordi aktual është i Manchester United, që bëri dopietë (Premier League dhe Champions) në sezonin 1999-2000. Ai u shpall kampion me 18 pikë largësi nga ndjekësi më i afërt, Arsenali (91-73).
- Titulli më i hershëm. Manchester United e siguroi titullin e sezonit 2000-2001 më 14 prill, kur kishin mbetur edhe pesë ndeshje për t’u luajtur. “Qytetarët” mund ta fitojnë titullin e këtij edicioni në të njëjtën datë, kundër Tottenham (ora 20:45), ose edhe një javë më parë, më 7 prill (ora 18:30), kundër Manchester United, me katër, ose pesë ndeshje për t’u luajtur ende, respektivisht.
- Fitoret në shtëpi. Numri magjik është 15, të cilin e fiksoi Chelsea në sezonin 2004-2005. Manchester City ka 11 fitore shtëpiake në këtë kampionat, me një progresion që do t’i çonte ato në 15, ose 16 fitore, kur kanë mbetur për t’u luajtur edhe pesë ndeshje në “Etihad”.