Reagojnë studentët: Ministri Bytyqi po manipulon me publikun, nuk pranuam takimin me të

21:24 | 4 Mars 2018
Arbresh.info

Përfaqësues të studentëve në Kosovë thonë se nuk kanë pranuar takimin me Ministrin e Arsimit Shyqri Bytyqi. Ky i fundit tha se ka takuar studentët të cilët i ka siguruar se përjashtimi nga EQAR nuk ndikon në njohjen e diplomave të tyre në BE.
Nëpërmjet një komunikate për media, Unioni i Studentëve të Kosovës thotë se studentët që kanë takuar ministrin, nuk paraqesin zërin e studentëve kosovarë.

“Unioni i Studentëve të Kosovës njofton publikun se përfaqësuesit e ligjshëm të studentëve (USK, Parlamentet Studentore dhe Këshillat Studentor) kanë refuzuar të takohen me Ministrin Bytyqi deri sa të dakordohemi për hapat që do të marrim pas përjashtimit të AKA’së nga EQAR. Ne nuk jemi kundër takimit të tij me studentë, por ata që janë takuar me të nuk paraqesin zërin e studentëve Kosovar”, thuhet në njoftimin e USK’së.

USK ka paralajmëruar për nesër në mesditë një konferencë për media të përfaqësuesve të studentëve të të gjitha universiteteve publike dhe kolegjeve private. Aty pritet të shpaloset qëndrimi i studentëve dhe hapat që do të ndiqen në vijim.

Ministri Bytyqi në një intervistë për televizionin publik të Kosovëstha se ka takuar sonte përfaqësues të studentëve.

“Kemi pasur takim me studentë dhe e kemi sqaruar se asnjë student nuk do të ketë problematikë në vlefshmërinë dhe njohjen e diplomave në Universitetet europiane për të gjitha diplomat që janë të akredituara në programet e arsimit të lartë”, tha ai.

Një takim i tillë është njoftuar edhe nëpërmjet një komunikate për media të MASHT.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme