Google ADS

Propozohet të ndëshkohen deputetët që mungojnë në seanca

19:50 | 2 Mars 2018
M. A.

Në prag të fundjavës, shumica e deputetëve nuk janë në sallën plenare.

Kështu, Kuvendi vazhdon të përballet me mungesë interesimi të deputetëve për punën e tyre, raporton KTV.

Me gjithë paralajmërimet e hershme që të premten do të kishte seancë të re, numri i deputetëve nuk arrinte as 60-shin, gjë që pamundësonte votat e mjaftueshme për miratimin e rendit të ditës dhe pikave të tjera.

Me pajtimin e të gjithë deputetëve, votimi në lexim të parë i ligjeve u vendos të bëhet nga ora 16, kurse leximi i dytë në orën 19.

Por, as këtë vendim nuk e respektuan deputetët.

LDK-ja kërkoi nga kuvendi që të marrë masa ndaj deputeteve të papërgjegjshëm.

Ky propozim u mbështet nga nënkryetari i kuvendit, Xhavit Haliti, por u kundërshtua ashpër nga koalicioni qeverisës.

Kjo shtyri Halitin që të vendosë që seanca të vazhdojë nga ora 15, me kushtin që të ishin deputetët në sallë, sidomos ata të pozitës, e që mungonin.

Një gatishmëri e tillë sërish nuk u respektua dhe seanca nisi me rreth 30 minuta vonesë.

Gjatë paradites, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, u arsyetua për mungesën e tij dhe të disa deputetëve të tjerë në ditën kur ishte parashikuar votimi i demarkacionit.

Por, me këtë arsyetim nuk u pajtua kryetari i kuvendit, Kadri Veseli.

Në këtë seancë, janë të parashikuara të diskutohen 30 pika të rendit të ditës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme