Për shkak të Demarkacionit, Kosova rrezikon të humb hapin e punës së institucioneve të BE-së

22:57 | 1 Mars 2018
M. A.

Të mërkurën është ndërprerë seanca për votimin e Demarkacionit, duke e shtyrë atë për ditën e hënë, më 5 mars. Sipas burimeve të Indeksonline, tashmë janë siguruar 80 votat e nevojshme për të kaluar kjo marrëveshje. Megjithatë, nëse një gjë e tillë nuk bëhet, do rrezikohet shtyrja edhe më tej e procesit të liberalizimit të vizave.

Ditë më parë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha në një intervistë për Indeksonline ka thënë se me ratifikimin e saj do të përmbyllet përmbushja e kritereve dhe Kosovës do i mundësohet dorëzimi i raportit për përmbushjen e të dy kushteve, asaj të Demarkacionit dhe luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas saj, pas dorëzimit të këtij raporti, mbetet edhe procesi i vendimmarrjes nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Duke u bazuar në praktikat e vendeve tjera të Evropës Perëndimore që kanë gëzuar procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes merr kohë prej 3 deri në 6 muaj. Por, për ta zërë hapin sa më shpejt, Kosova duhet të përshpejtojë dhe të futet në agjendën e mbledhjes së Këshillit Evropian që do të mbahet në këtë muaj. Për shkak të shtyrjes së ratifikimit të Demarkacionit tash e sa kohë, Kosova po rrezikon ta humb edhe këtë afat, duke bërë kështu të shtyhet të paktën për tre muaj fillimi i procesit të vendimmarrjes.

Njohësi i çështjeve të Integrimeve Evropian, profesor në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti ka thënë se nëse nuk përshpejtohen hapat për përmbushjen e kritereve, e keqja do të bëhej edhe më e madhe.

“E keqja do të bëhej më e madhe nëse nuk përshpejtohen hapat për përmbushjen e kritereve sepse në vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet për institucionet e BE-së dhe nëse neve na dështon ose na prolongojnë, dhe nëse ne nuk mund ta zëmë hapin me kalendarin e punës së këtyre institucioneve, atëherë kam frikë se mbase fundi i vitit 2019, madje edhe viti 2020, do na gjejë të izoluar”, ka thënë Hoti.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për vizitën e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë ditës së mërkurë. Sipas tij, ata dhanë mesazhe të qarta se Kosova duhet të ratifikojë Demarkacionin dhe se pas tij, do të mbetet edhe përmbushja e kriterit për luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. “Në samitin e vitit të kaluar të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor kanë marrë mbi vete si obligim përmbushjen e disa kritereve.

Kështu gjatë kësaj vizite ata shprehën shqetësimin e tyre se disa nga vendet nuk i kanë kryer të gjitha obligimet e tyre.

Ajo që bie në sy ishte fakti që sa më herët që vendet t’i kryejnë obligimet aq më e lehtë do ta ketë ai vend drejt rrugëtimit të tij drejt Bashkimit Evropian. Nëse ne nuk përballemi me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni në këtë stad të integrimit, ne domosdo do të përballemi në një stad të mëvonshëm, sepse rruga e integrimit nënkupton shumë më shumë sesa liberalizimi i vizave”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme