Autoambulanca e pakolauduar bën aksident , vdes shoqëruesi i pacientes

21:24 | 1 Mars 2018
Arbresh.info

4 muaj më parë në 30 nëntor të 2017 një 42 vjeçar humbi jetën në Milot, teksa udhëtonte me autoambulancën e spitalit të Burrelit për të shoqëruar të ëmën drejt Shkodrës, pasi kjo e fundit ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Kushtet e këqija atmosferike si dhe gjendja jashtë normave teknike të automjetit shkaktuan aksidentin që i mori jetën 42 vjeçarit Afrim Dani. Autoambulanca është përplasur me një makinë tjetër dhe si pasojë ka dal jashtë rruge. Ky aksident rezultoi fatal për pasagjerin 42 vjeçar i cili humbi jetën brenda automjetit të ndihmës së shpejtë.

Fiks Fare menjëherë pas këtij aksidenti nisi investigimin, për të mësuar shkaqet e tij. Ishin vërtet kushtet e këqija atmosferike ato që shkaktuan aksidentin apo ndonjë shkak tjetër. Në investigimin e tij Fiks Fare arriti të zbulonte se autoambulancat e Burrelit përfshirë edhe ambulancën e aksidentuar ishin të pa kolauduara dhe të pa siguruara në kompani sigurimesh prej 4 vitesh. Automjete që në gjendjen janë një rrezik për jetën e pacientëve dhe personelit mjekësor që udhëton në to.

Pyetur nga Fiks Fare Përgjegjësi i prapavijës së spitalit Saimir Dungu thotë se autoambulancat rezultojnë ende të pa kolauduara dhe jashtë kushteve teknike. ” Autoambulancat e spitalit të Burreli deri në datën 10.02.2018 rezultojnë të pa kolauduara dhe janë të pasigurta nga kushtet teknike. Edhe automjeti që u aksidentuar në nëntor të 2017 e që i kushtoi jetën një 42 vjeçari nuk ka qenë i kolauduar madje edhe i pasiguruar” tha ai. Këtë fakt e pohoi edhe shefi i financës Dorjan Rrici i cili tha për Fiks Fare se kolaudimi është bërë në dhjetor të 2017, ndërsa shefi i personelit të spitalit tha për Fiks Fare se nëse do të ishte informuar për kushtet teknike të automjeteve nuk do të urdhëronte transportin e të sëmurëve drejt Tiranës. “Unë nëse do të isha informuar për këtë situatë, absolutisht nuk do lejoja transportin e të sëmurëve. Kjo përbën rrezik për pacientin” tha Dr. Behar Sina.

Fiks Fare zbuloi se spitali ka lëvruar fonde për mirëmbajtjen e automjeteve, por firma fituese mesa duket nuk ka bërë asnjë investim. 960 milion lekë të vjetra janë tenderuar dhe firma sipas shefit të financës së spitalit ka bërë riparime të automjeteve në dhjetor të 2017, por kjo gjë nuk shihet në realitet si dhe kundërshtohet nga përgjegjësi i prapavijës së spitalit i cili thotë se dy mjete janë jashtë funksioni, ndërsa tre të tjera kanë mungesë kolaudimi dhe sigurimi. “Fondi ka qenë 960 milion lekë me TVSH. Është kryer në bazë të një urdhër tenderimi që ka ngritur titullari me datë 06.07.2017 me procedurë për blerje të vogël .Është fituar nga një firmë me vlerën 972 mijë lekë me TVSH. Di që riparimi i mjeteve është bërë në dhjetor të 2017 si dhe janë siguruar dhe kolauduar” tha Dorian Riçi shefi i financës në spitalin e Burrelit. Por kush i ka dërguar për riparim këto automjete dhe kush i ka marrë ato nga pika e riparimit?

Fiks Fare publikoi një bisedë jashtë kamerave me Drita Osmanin anëtare e komisionit të marrjes së mjeteve për dorëzim e cila është e paqartë në atë që shpreh duke kundërshtuar veten. Fillimisht ajo pohon se riparimi i mjeteve është bërë në servise të ndryshme shoqëruar nga shoferët. E pyetur nga gazetarët e Fiksit se në dokumentet e komisionit të marrjes së mjeteve pas riparimit, thuhet qartë se riparimi i tyre është bërë në një pikë të vetme dhe jo në disa siç pohon znj. Osmani. Kjo e fundit mundohet të justifikohet se ka kaluar kohë dhe nuk e mban mend mirë, por është e bindur se riparimet këtyre automjeteve u janë bërë. E pyetur nga gazetarët nëse ka qenë e pranishme vetë në dorëzimin e këtyre mjeteve të riparuara apo thjesht znj. Osmani ka hedhur firmën formalisht, ajo shprehet se ka qenë në komision ka hedhur dhe firmën , por që nuk mund të shprehet më shumë se kaq. “ Nuk jap më shumë sqarime se jam e lodhur, kam qenë në komision dhe kam firmosur. Kaq!” përfundon Osmani. Por tjetër gjë thotë shoferi i një prej ambulancave. Ai e hedh poshtë pretendimin e anëtares së komisionit të marrjes së mjeteve pas riparimit, duke u shprehur se mjetet në pikën e riparimit i ka çuar vetëm një person dhe jo shoferët siç pretendon znj. Osmani. “Me të gjithë procedurën është marrë drejtoria, ne si shoferë nuk kemi qenë asnjë prezentë. Ata i kanë dërguar ata i kanë marrë” përfundon shoferi i autoambulancës së Burrelit.

Biseda me Drita Osmanin , anëtare e komisionit të marrjes së mjeteve në dorëzim pas riparimit.
Fiksi –Ju keni qenë anëtare komisioni për mjetet e transportit ambulancave të spitalit
Osmani – Po
Fiksi – Sa herë ke qenë si anëtare komisioni kur mjetet janë tërhequr kur janë riparuar?
Osmani – Jo, jo, me të thënë drejtë nuk kam informacion
Fiksi – Ti s’ke qenë asnjëherë?
Osmani – Jo
Fiksi – Mjetet e dini se ku janë riparuar?
Osmani – Në pika të ndryshme domethënë riparimi i mjeteve.
Fiksi – Në komision thuhet vetëm në një pikë, si ka mundësi në pika të ndryshme? Ju jeni anëtare komisioni, keni firmosur
Osmani –Po, po jam jam
Fiksi – Keni qenë në komision apo thjeshtë keni hedhur firmën?
Osmani –Kam qenë në komision edhe firma kam hedhur edhe në komision kam qenë
Fiksi – Po ju thoni në disa pika janë riparuam, ndërkohë që aty është një servis
Osmani – Servisi tani ka një farë kohe se u bën gjashtë muaj që janë bërë këto veprime, kupton edhe kemi një çik lodhje pune, ndoshta nuk jam edhe një çik qartë në folme. Kam qenë në komision riparoheshin në një pikë të veçantë kaq informacion kam.
Fiksi – Po pse më thatë në disa pika?
Osmani – Po thjeshtë jam e lodhur, të thashë në disa pika.
Fiksi – Kur janë riparuar, keni qenë në dorëzim si janë riparuar?
Osmani –Tani nuk jap sqarim më gjatë se dokumentet janë atje, më falni
Fiksi – Kur i dërguar për riparim, ka qenë çdo shofer apo ka qenë një drejtues mjeti, për të gjitha makinat?
Osmani – Jo çdo shofer, se çdo firmë do kalonte ambulancat e veta Se nuk janë të gjitha pjesët të njëjta për të gjitha makinat.
Osmani – Jo nuk të jap sqarim më gjatë. Çdo gjë është me komision kemi qenë grup që i kemi bërë këto veprime.
Fiksi – Dhe shoferët apo vetëm ju si komision?
Osmani –Jo edhe shoferët edhe shoferët se tani pjesët janë vënë…
Fiksi – Dhe në sa sevise janë bërë? Në çfarë servisesh në Tiranë apo Durrës apo Burrel?
Osmani – Nuk jap informacione më gjatë.
Fiksi – Ti duhet ta dish se ti ke qenë anëtare komisioni?
Osmani – Jo, jo nuk jap informacion më gjatë
Fiksi – Për çfarë arsyeje nuk jep?
Osmani – Jo, jo nuk jap

Bisedë me shoferin e një prej autoambulancave
Fiksi – Ti ke qenë në komision të mjeteve, shoferët i kanë deërguar vetë mjetet tek servisi apo i ka dërguar një person?
Shoferi – Jo i ka dërguar një person.
Fiksi – Kush është ?
Shoferi –Drejtoria është marrë, Arsen Duka.
Ne nuk kemi qenë prezentë as kur janë çu ,as kur janë marrë.
Fiksi – Si shoferë nuk keni qenë asnjë
Shoferi – Jo, jo asnjë, i ka ba drejtoria.
Fiksi – S’keni qenë prezentë shoferat?
Shoferi – Jo
Fiksi – I kanë dërguar ata dhe i kanë marrë ata?
Shoferi – Drejtoria vetë

Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme