Rashiq do që serbët e Kosovës të jenë vëzhgues në dialogun e Brukselit

22:04 | 28 Shkurt 2018
M. A.

Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresiste ka thënë se është i acaruar me tendencën e Brukselit zyrtar për të shmangur përgjegjësinë, në kontekst të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai sidomos ka shprehur pakënaqësinë e tij për mosmarrjen e një përgjigje në pyetjen e tij, nëse zyrtarët europianë ishin në dijeni për presionin e madh që bën Beogradi zyrtar mbi serbët e Kosovës.

Në Zona B të Klan Kosovës, Rashiq ka sqaruar propozimin e tij për vëzhgues në delegacionet negociuese, të cilit do të ishin njerëz me integritet nga serbët e Kosovës, për të shmangur tendencën e të dyja palëve për të lakuar të vërtetën.

“Pyetja ishte personale, emocionale dhe në emër të banorëve serbë të Kosovës. Heshtja nga ana e Bashkimit Europian nganjëherë tingëllon si konfirmim. Sot desha të isha i saktë, sepse përgjigjet e diplomatëve europianë janë shumë të gjera. Unë e pyeta(Jean-Claude Juncker), a janë në dijeni me cilat forma të presionit Beogradi formalisht dhe joformalisht ndikon serbët e Kosovës?”

“Normalisht që doja përgjigje me po ose me jo. Sepse nëse përgjigja do të ishte pozitive, atëherë si është e mundur që Europa demokratike dhe e lirive të tolerojë një gjë të tillë. Nëse do të ishte negative, atëherë prapë, si është e mundur që të mos dihet, kur ka plot raporte për këtë gjë”.

“Unë nuk mora asnjë përgjigje. Ishte krejt demagogji. Mirë që ishte përfaqësuesja e BE-së në Kosova, Nataliya Apostolova, e cila tha se janë të vetëdijshëm për këtë gjë. Përgjigja e Juncker s’ishte kurrfarë përgjigje. Një prej problemeve kryesore të Brukselit është shmangia e përgjegjësisë”.

“Unë kërkova që në ekipet negociatore të merren vëzhgues. Do të preferoja që të ishin serbë të Kosovës, sepse një prej arsyeve për incim të këtij dialogu është vet jeta e serbëve në Kosovë. Por nuk mora asnjë përgjigje. Unë insistoj që ata vëzhgues të jenë njerëz apolitik dhe me integritet. Kjo do të ishte mënyra më e mirë që ne ta dimë çka po ndodhë atje. Po ashtu zvogëlohet mundësia e manipulimit, sepse pas takimeve Prishtina dhe Beogradi thonë krejt gjëra të ndryshme”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme