‘Zëri i Amerikës’ hedh poshtë Ramën: Droga u kap falë bashkëpunimit me disa agjenci të huaja

18:08 | 28 Shkurt 2018
Arbresh.info

Në Shqipëri një operacion i përbashkët i Policisë dhe Prokurorisë për Krimet e Rënda çoi në sekuestrimin gjatë natës, në Portin e Durrësit, të një sasie rekord kokaine.

“Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe sekuestrimi i një sasie rekord prej 613 kilogramë e 350 gramë lënde narkotike e dyshuar kokainë, me vlerë tregu mbi 180 milion euro”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu, duke shpjeguar se “hetimet kanë dokumentuar se lënda narkotike ishte nisur me kontenier nga Kolumbia duke kaluar tranzit përmes Italisë, në Maltë e më pas me anije ka mbërritur në Portin e Durrësit në Shqipëri, në datën 19 shkurt 2018. Kokaina ishte e fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë, të ngarkuar me banane. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët”.

Drejtori i Policisë tha se operacioni ka nisur mbrëmjen e djeshme në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar shtetasin A.Ç. “Kontenieri i mbërritur në Portin e Durrësit, u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë deri sa mbërriti në magazinat e firmës, nga strukturat e Policisë së Shtetit. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar në perimetrin e jashtëm objektin e më pas kanë ndërhyrë në brendësi të magazinës. Pas kontrollit të imtësishëm të kontenierit, kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike”, tha zoti Veliu.

Në pranga kanë përfunduar dy të rinj shqiptarë ndërsa është shpallur në kërkim pronari i firmës që kishte porositur ngarkesën me banana. Drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda deklaroi në konferencën për shtyp se hetimet rreth kësaj çështjeje janë ende në vijim. Kapja e kësaj sasie u bë falë një bashkëpunimi me disa agjensi të huaja. Sipas të gjitha gjasave, dorga do të magazinohej në Shqipëri për t’u shpërndarë më pas në sasi të vogla drejt tregjeve europiane, shkruan Zëri i Amerikës.

Por kryeministri Rama deklaronte më herët se ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit.

Reagimi i Ramës

NJË OPERACION SHEMBULLOR ME DOMETHËNIE TË MADHE

Operacioni më i fundit i Policisë së Shtetit, kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shënon një hap të madh përpara të shtetit tonë në përballjen me krimin e organizuar. Kapja e një sasie shumë të konsiderueshme kokaine, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë, përmes ndërveprimit mes agjencive tona ligjzbatuese, ka një domethënie të plotë për vendosmërinë, gatishmërinë dhe aftësinë që po fitojmë dita-ditës në këtë përballje. Por padyshim shumë domethënëse, edhe për integritetin e strukturave tona ligjzbatuese. Të cilat në rastin konkret kanë sekuestruar drogë të fortë me një vlerë 180 milionë euro, nëse do të dilte në tregun europian për ku ishte e destinuar.

Edhe fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot, duke nisur nga pikat doganore. Puna e madhe që është bërë për të vendosur nën një kontroll rigoroz pikat doganore, duke filluar nga porti i Durrësit, ku edhe është krijuar një rrjetë efikase kontrolli mbi bazë risku, ka dhënë rezultate të vazhdueshme në aspektin doganor, por në këtë rast ka mundësuar edhe zanafillën e këtij operacioni spektakolar.

Po ashtu, me marrjen e sinjalizimit të parë nga Hetimi Doganor, Policia e Shtetit është vënë menjëherë në lëvizje, falë pikërisht bazës së punës së përbashkët që është ndërtuar në funksion të garantimit të kontrollit rigoroz të portit të Durrësit, mes strukturave policore dhe hetimore. I menjëhershëm dhe efikas ka qenë edhe ndërveprimi mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të rënda, çka ka siguruar përfundimin me sukses të plotë të operacionit.

Përgëzime të mëdha për të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion dhe për mesazhin e qartë që ky rezultat shembullor i luftës kundër krimit të organizuar u jep të gjithëve!
Përgëzime Policisë së Shtetit, që ka hyrë me vendosmëri e gatishmëri të lartë në fazën e re të luftës kundër krimit, ku Forca e Ligjit nuk është vetëm emri i një strukturë të posaçme antikrim, po një vijë sjelljeje e Policisë së Shtetit si e tërë dhe në çdo front. Përgëzime Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, që jo vetëm po garanton në vijimësi një rritje konstante të të ardhurave falë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së punës, por po rrit vijimësisht forcën goditëse kundër evazionit, kontrabandës e trafiqeve. Përgëzime edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda padyshim dhe uroj që hetimet e mëtejshme të kenë të njëjtin sukses si vetë ky operacion entuziazmues.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme