Tahirsylaj: Të enjten temperaturat më të ulëta të këtij viti

23:33 | 27 Shkurt 2018
M. A.

Eksperti dhe profesori i Meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, tha se jo e mërkura, por e enjtja, më 1 mars, do të jetë dita me temperaturat më të ulëta të këtij viti kalendarik në Kosovë.

Sipas Tahirsylajt, të enjten temperaturat do të zbresin në minus 18 gradë celsius në vende kodrinore-malore, ndërsa minus 13 do të jenë në ultësira.

“Me datën 1 do të jenë temperaturat më të ulëta në këtë vit kalendarik. Minimalet do të jenë -18 gradë celsius në vende kundrinore-malore, ndërsa në ultësira do të jetë -13 gradë celsius”, tha Tahirsylaj për Kallxo.com.

Ai shtoi se reshjet e borës nuk do të ndalen deri ditën e shtunë të kësaj jave.

“Këto temperatura janë të ulëta të cilat do të zgjasin deri në fund të javës. Do të ketë reshje të borës deri të shtunën. Më pas do të ndërpriten”, tha ai.

Sipas Tahirsylajt, ditën e diel, temperaturat do të fillojnë të ngriten, në vende të ulëta do të jenë temperaturat +7 gradë celsius ndërsa në vende të larta deri në 4 gradë celsius.

Sipas tij, moti këto ditë ka shkaktuar probleme në komunikacion.

“Moti këto ditë në Kosovë ka shkaktuar probleme të shumëfishta në komunikacion, pasi që pjesëmarrësit në komunikacion kanë qenë të papërgatitur”, tha Tahirsylaj.

Ai tregoi se të premten e kësaj jave do të ketë reshje të shiut e cila sipas tij do të krijojnë një shtresë akulli, e cila mund të paraqes rrezik në komunikacion.

“Ditën e premte do të ketë reshje të shiut. Ato pastaj në temperatura të ulëta do të krijojnë shtresa të akullit dhe kjo do të paraqes problem të veçantë në qarkullimin e automjeteve. Për këtë rast mund të përdoren hedhat e sharrës ose thëngjilli i bluar e ajo ndikon pozitivisht që ajo shtresë të eliminohet”, tha më tutje Tahirsylaj, duke shtuar se një mot i tillë ka qenë edhe viteve të kaluara.

Sipas tij, në temperatura -11 gradë celsius, kripa nuk reagon për eliminimin e shtresave të akullit.

“Shtresa që do të krijohet ditën e premte është pak me rrezikshmëri. Po e përsëris që mund të përdoret thëngjilli i bluar për ta shmangur të paktën rrezikshmërinë”, tha ai.

Ai tha edhe se një situatë e tillë nuk është brengosëse pasi në Kosovë sipas informatave që ka, reshjet e borës kanë arritur deri në 10 centimetra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme