Kanë kaluar 16 muaj prejse Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për “Trepçën”, por për shkak se as qeveria e Isa Mustafës e as ajo e Ramush Haradinajt nuk kanë arritur ta formojnë Bordin Mbikëqyrës, “Trepça” vazhdon të ketë probleme thelbësore të funksionimit.
Pos vështirësive të funksionimit, “Trepça” përballet edhe me borxhin prej 10 milionë eurosh që ia ka KPMM-së, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndonëse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vetëm pak ditë më përpara ka siguruar se Bordi Menaxhues i “Trepçës” është në formim e sipër dhe se viti 2018 është shpallur vit i “Trepçës”, gjiganti ekonomik kosovar vazhdon të ketë probleme thelbësore të funksionimit.
Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, tejet i zhgënjyer me vonesat e mëdha me formimin e bordeve të “Trepçës”, pa të cilat nuk mund as të funksionalizohet Ligji për “Trepçën”, tha se me gjithë premtimet e njëpasnjëshme formimi i bordeve nuk duket në horizont.
“Nuk ka kurrgjë deri më tani, formimi i Bordit nuk duket në horizont. Thjesht, jemi lodhur duke pritur”, tha drejtori i “Trepçës” Ahmet Tmava, të hënën.
Ai ka shtuar se prodhimi është duke shkuar mirë dhe se edhe puna në përgjithësi është duke shkuar sipas planit të paraparë, por ka ripërsëritur se mospërzgjedhja e Bordit Mbikëqyrës ka sjellë telashe të mëdha në funksionalizimin e ligjit.
“Po shpresojmë që më në fund të fillojë zbatimi i Ligjit për ‘Trepçën’, në mënyrë që të fillojmë ta zhvillojmë kombinatin. Tani jemi duke punuar vetëm sa për të mbijetuar, akoma jemi në një situatë kur nuk i përkasim as AKP-së e as Qeverisë së Kosovës në mungesë të zbatimit të ligjit. Para nesh ka shumë sfida, të cilat duhen tejkaluar. Kemi arritur të bëjmë investime vetëm për përmirësimin e kushteve të punës, siç është transporti i punëtorëve, ushqimi, ngritja e pagave për 20 për qind. Kemi humbur shumë në aspektin kohor e nëse vonohemi edhe më shumë atëherë pasojat do të jenë edhe më të mëdha”, siguroi Tmava./Zëri/
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Aivo Orav: E dënoj rastin, përgje...
ShBA-ja dënon sulmin në Ibër-Lepenc: Qeveria e ka mbështetje...