Google ADS

Zaev: Maqedonia shtrihet në tre shtete

10:52 | 26 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka dhënë një intervistë për magazinën më të madhe europiane, “Der Spiegel”, ku ka folur kryesisht rreth kontestit të emrit me Greqinë.

Sipas tij, Maqedonia nuk ka asnjë pretendim irredentist ndaj fqinjit jugor, por është fakt se rajoni historik i Maqedonisë shtrihet në tre shtete: “pjesa veriore ose e epërme në vendin tonë, pjesa lindore në Bullgari dhe pjesa jugore në Greqi.

Ky është fakt dhe ne nuk duhet të jemi kundër fakteve. Për shkak se grekët duan të dallojnë, ne e kuptojmë dhe e pranojmë që të ketë një shtesë gjeografike (për emrin e Maqedonisë.” Zgjidhja e kontestit të emrit do kishte dobi edhe për Greqinë, që do përafronte rolin udhëheqës të saj në rajon.

Për të sqaruar raportin e mirë mes dy shteteve, Zaevi ka shtuar se mbi një milion maqedonas udhëtojnë çdo vit në rivierën greke.

Pas përmendoreve, librat e historisë?

Në pyetjen e gazetarit Keno Verseck, se çfarë ka në plan të veprojë Maqedonia pas largimit të disa përmendoreve dhe emrit Aleksandri i Madh nga autostrada dhe aeroporti i Shkupit, Zaev përgjigjet se momentalisht nuk ka asgjë konkrete, por është i gatshëm të flasë për të gjitha problemet. Në të ardhmen, “për shembull mund të ketë komisione të përbashkëta për ripërpunimin e librave historik shkollorë.”

Në fund Zaev shton se as nuk e paramendon mos zgjidhjen e emrit, nga vetë fakti se Maqedonia si vend multi-etnik luan rol qendror në Ballkanin perëndimor. “Nëse te ne sundon jo-stabiliteti dhe trazirat, atëherë kjo do rrezatonte në gjithë rajonin. Andaj zgjidhja e kontestit të emrit i paraprin zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik dhe integrues të Maqedonisë dhe gjithashtu dobi do kishte edhe vetë BE.”

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme