Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude-Junker deklaroi këtë të dielë në Tiranë, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, se akoma nuk jemi gati si BE për çeljen e negociatave, ndonëse janë bërë Reforma të pranueshme.
Në deklaratën e tij, Junker tha se vizita e tij në Tiranë nuk ishte për të dhënë një datë apo afat konkret për çeljen e negociatave. Ndërkohë shtoi se në Bruksel është e qartë që vendi i shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë është në Bashkimin Europian.
“Më lejoni të falënderoj përzemërsisht presidentin e Komisionit Europian, Jean Cloud Juncker, për këtë vizitë, që vjen pak kohë përpara momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e Komisionit Europian ,për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe pak kohë pas publikimit të planit të zgjerimit të Bashkimit Europian, që përbën një bazë për të gjitha vendet e rajonit tonë.
Pata mundësinë dhe privilegjin që ta informoj nga afër presidentin ,për ecurinë e reformave dhe zhvillimin e Shqipërisë, në rrugën drejt afrimit përditë me Bashkimin Europian, por edhe sjelljen si një aktor nxitës i marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimit të rajonit. Çelja e negociatave të anëtarësimit është rekomanduar që në nëntor, duke nënvizuar çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe zbatimin konkretisht të procesit të Vettingut. Në momentin e daljes së atij rekomandimi, ne nuk kishim kaluar ligjin, gjë që tani e kemi bërë dhe nuk kishim nisur punën konkrete për Vettingun, gjë që po ndodh. Sot ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës, që janë tërhequr nga procesi i Vettingut, pra që nuk do të jenë më pjesë e sistemit gjyqësor, një tregues i qartë që Vettingu ka filluar të funksionojë si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të një sistemi drejtësie të ri dhe të pavarur.
Presim në javët në vazhdim edhe çeljen e çështjeve konkrete dhe rezultatet konkrete nga ana e komisioneve të Vettingut. Gjithashtu kanë ndodhur edhe gjëra të tjera të rëndësishme. Ka hyrë në proces operacioni ndërkombëtar kundër krimit dhe trafikut, Forca e Ligjit. Ka hyrë në proces një transformim rrënjësor në marrëdhëniet e drejtësisë me qytetarët, përmes ndryshimit të prokurorit të përgjithshëm dhe çeljes së një sërë dosjesh, që prej kohësh flinin në Prokurori. Vendosmëria jonë mbetet e palëkundur, pasi e dimë se reformat dhe Vettingu, janë të domosdoshme dhe të detyrueshme, sepse i kërkon Shqipëria dhe ia kemi borxh gjeneratës tjetër, pra jo thjesht për integrimin europian. Integrimi në Bashkimin Europian është një përpjekje për të ndërtuar Shqipërinë Europianë këtu në vendin tonë. Dua ta përsëris se besoj fort se e meritojmë rekomandimin e plotë dhe të pastër dhe besoj se vendet anëtare do t’i përgjigjen pozitivisht votimit për hapjen e negociatave, pasi i kemi bërë me përpikëri detyrat e shtëpisë. Keqardhje që nuk ju pritëm dot me një mot tipik shqiptar dhe mesdhetar, por ju bëmë të ndjeheni si në Bruksel, me shi, gri dhe mërzi”, tha Rama në fjalën e tij.
Nga ana tjetër, Presidenti Juncker vlerësoi si impresionuese reformat e ndërmarra nga qeveria, por theksoi se nuk ka ardhur në Shqipëri me një datë konkrete.
“Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria veçanërisht, janë vende miq, aleatë dhe partnerë. Ne na ka ndarë historia për një kohë të gjatë dhe tani nuk duhet humbur kaq shumë kohë. Tani bëhet fjalë për ta rishkruar historinë. Shqipëria ka ndërmarrë shumë reforma në shumë fusha, të cilat janë impresionuese. Nëse do të vazhdohet me këto reforma, kjo do t’i lejojë KE të rekomandojë negociatat. Nuk kam ardhur në Tiranë për një datë, por të inkurajoj Shqipërinë të vazhdojë me reformat. Ne do të jemi për krah Shqipërisë për ta ndihmuar që të përgatisë anëtarësimin”, tha Juncker.
Juncker u pyet nga gazetarët se pse ende nuk ka një datë për Shqipërinë, e cila e ka nisur reformën në drejtësi, ndërsa e kundërta ndodh me Serbinë dhe Malin e Zi. Juncker u shpreh se jo detyrimisht këto dy vende do të jenë anëtare të BE në 2025, ky është një proves që bazohet në merita, tha ai.
“Ne nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i Zi do të jenë detyrimisht vende anëtarë në 2025, kjo mund të jetë më herë ose më vonë. Nuk është momenti se Shqipëria do të trajtohet në mënyrë jo të favorshme. Ky është një proces që bazohet në meritat e secilit vend. Të gjitha vendet që i plotësojnë kriteret do të bëhen anëtare”, tha Juncker.
Juncker u pyet edhe për negociatat me Greqinë, duke thënë se problemet mes dy shteteve duhet të zgjidhen sa më shpejt. Konfliktet mes vendeve të rajonit duhet të zgjidhen para anëtarësimit në BE, tha ai.
“Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhen zgjidhen sa më shpejt. Kemi një dritare mundësish të hapura, duhet përdorur nga të dyja palët. Vendet e rajonit që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kalojnë dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, por para. Inkurajoj si Shqipërinë dhe Greqinë, ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave. BE, nuk u përket vetëm atyre që janë anëtarë, por se çdo vend të plotësojë kushtet e anëtarësimit. Kur Shqipëria t’i ketë plotësuar të gjitha anëtarësimi do të jetë diçka e kryer”, u shpreh Juncker.
Ndërkohë, Kryeministri Rama u shpreh se Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep kushtetuta disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar. “Kam besim se Presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të kemi kohën e nevojshme për të zgjidhur problemet me Greqinë, të nënshkrimit të një marrëveshje të re. Nëse më pyesni a do të zgjidhet me sukses ky proces? Unë them po, do të zgjidhet. Do të jetë një tjetër arsye e fortë që BE të vlerësojë Shqipërinë si shtet serioz”./Koha Jone/
Orët e fundit para vdekjes së Liam Payne, porositi 9 shishe ...
Kelmendi: 28 Nëntori është një datë e bekuar për të gjithë n...
Goditet për vdekje një këmbësore në Klinë
Policia nis hetimet rreth një vdekje të dyshimtë në Fushë Ko...
Kumbaro uron 28 Nëntorin, ndan pamje nga fëmijët e Përmetit ...
Rusia kryen sulm masiv ndaj sektorit të energjisë të Ukrainë...