Në muajin mars arrestimet e para të Tribunalit Special

17:48 | 25 Shkurt 2018
Arbresh.info

Gazeta Express ka mësuar se Prokurori në largim, David Schwendiman, përpara se të lirojë zyrën e tij të Kryeprokurorit – 31 mars – i është kërkuar që të nënshkruajë një aktakuzë, që involvon arrestimet e para.
Pasi të përmbyllet demarkacioni me Malin e Zi, pasi Kosova ta marrë dritën e gjelbër për liberalizim të vizave, në epiqendër të zhvillimeve do të rikthehet me gjithë fuqinë e tij, Tribunali Special.

Gazeta Express ka mësuar se më së largu deri në fund të muajit mars do të mund të ngritët aktakuza e parë për krime të luftës. Një burim i sigurt i ka treguar Gazetës Express se arrestimet e para janë shumë afër.

“Kryeprokurorit në largim, David Schwendiman, i është kërkuar që deri më 31 mars, kur është dita e tij e fundit e punës në Tribunal, ai të nënshkruajë një aktakuzë”, ka thënë një burim i lartë i Gazetës Express, i cili ka qasje në këtë proces.

“Pritet që të arrestuarit e parë të jenë profil i ulët, nuk bëhet fjalë për personalitete të rëndësishme. Ky është një proces i gjatë. Partnerët e Kosovës, shtetet më të fuqishme, ato që edhe kanë kërkuar që të themelohet ky Tribunal, po kërkojnë me ngulm që tash procesi të fillojë”.

Gazeta Express ka mësuar se njëra prej arsyeve përse Schwendiman është larguar nga detyra ka qenë insistimi i tij që të mos ketë arrestime, të mos ketë aktakuza, deri në fund të këtij viti. Kjo qasje e tij ka shkaktuar nervozë në BE dhe SHBA, të cilat vende kanë pritur që ky proces të fillonte shumë më herët.

Tensionet në Perëndim janë ngritur posaçërisht muajt e fundit kur krerët e institucioneve të Kosovës e nisën një ofansivë për ta zhbërë Tribunalin Special.

Gazeta Express ka mësuar që kjo qasje, kjo vonesë, ky mobilizim i klasës politike në Kosovë, ka shtyrë Perëndimin që t’i lëvizë të gjitha levat për ta jetësuar këtë proces.

Por, pse është themeluar Gjykata Speciale e cila ishte cak i zhbërjes në fund të vitit të kaluar?

Përgjigja është e qartë: për t’i sqaruar akuzat që janë shkruar nga një zviceran, Dick Martyt, në një raport 30 faqesh, ku i bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet e kryera gjatë dhe me krimin e organizuar pas luftës.

Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar edhe Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngritën përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.

“Ne besojmë se Task Forca do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuza kundrejt disa ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime kundër Serbëve, Romëve dhe etnive tjera si dhe Shqiptarëve që janë besuar të kenë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe rivalëve politikë”, kishte thënë Williamson, në korrik, të vitit 2014.

Ky Prokuror kishte përmendur numrin dhjetë të aktakuzave, por jo edhe numrin e të akuzuarve, shkruan Gazeta Express.

“Kaq, pak a shumë, ndoshta me pak por afërsisht 10 aktakuza”, kishte shtuar ai.Deri më tash, askush s’ka përmendur emrat e atyre që do të akuzohen, por Prokurori Williamson, kishte treguar adresën se ku janë ata njerëz që do të ndiqen penalisht.

“Nuk do të hyjë në specifika për të folur për individë, por të dhënat tona janë në koherencë me atë që ka thënë Dick Marty në raportin e tij, që këta individë kanë qenë në menaxhment të lartë të UÇK’së”, kishte shtuar ai.

Në vend të Williamson ishte emëruar amerikani David Schwendiman në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Europës për krime lufte në Kosovë. Por, edhe pse e themeluar më 2015, ende nuk ka pasur asnjë aktuakuzë

Por, kush janë emrat që përmenden në këtë raport?

Ata janë: Hashim Thaçi, Shaip Muja, Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Haradinaj janë personazhet kryesorë në Raportin e Dick Martyt.

Këta ish-udhëheqës të UÇK’së, Marty, i ndërlidh me veprime kriminale të kryera gjatë kohës së luftës dhe pasluftës.

Sa herë përmenden emrat e udhëheqësve të UÇK’së në Raportin e Martyt?

Më së shumti përmendet emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK’së, Hashim Thaçit. Pra, emri i tij figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit. Konkretisht, pesë herë përmendet emri dhe mbiemri, ndërsa, 21 herë të tjerë mbiemri i tij. Në total, emri i Ish-Kryeministrit Thaçi përmendet 26 herë.

Pas tij vjen deputeti tjetër i PDK’së, Shaip Muja, i cili përmendet 20 herë në Raport. Ai ka pasur pozita edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së.Pos tyre, në Raport përmendet shtatë herë edhe emri i Kadri Veselit, aktualisht, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Gjashtë herë përmendet edhe emri i Fatmir Limajt, aktualisht, Zëvendëskryeministër dhe udhëheqës i NISMA’s.

Azem Syla dhe mbiemri Haradinaj përmenden nga dy herë në raport.

Emërtimi “Grupi i Drenicës” përmendet pesë herë, ndërsa, udhëheqës i tij, thuhet se është Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi.

“Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX­i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.

“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkë­konspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIK­u, Tribunali i Hagës, dhe EULEX­i. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty.

“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme