“Interesat gjeostrategjike imponojnë zgjidhjen e kontestit të emrit”

17:38 | 24 Shkurt 2018
Arbresh.info

Bisedimet për kontestin e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, kanë hyrën në fazën finale, edhe pse ende mbetet e paqartë se cila mund të jetë zgjidhja për këtë problem mbi 27-vjeçar, apo nëse i gjithë procesi mund të dështojë ashtu siç kanë dështuar edhe bisedimet e deritashme që janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara.

Deri tani janë zhvilluar disa takimet të nivelit të larta mes kryeministrave, Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, si dhe shefave të diplomacisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, dhe përveç konfirmimit të vijave të kuqe, detaje tjera nuk janë dhënë ndërkohë që procesit pritet t’i japin shtytje edhe përfaqësues të shteteve me ndikim ndërkombëtar.

Pas takimeve të veçanta të dy kryeministrave me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila i inkurajoi për arritjen e zgjidhjes, të dielën në Shkup pritet të arrijë presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, si dhe euro-parlamentarët, Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se perëndimi si asnjëherë më parë është i interesuar për zgjidhjen e këtij kontesti, jo vetëm për shkak të zhbllokimit të procesit euro-integrues të Maqedonisë, por edhe për shkak të politikave gjeo-strategjike në rajon të BE-së dhe SHBA-së.

“Në planin ndërkombëtar mendoj se strategjia e NATO-s dhe e SHBA-së, që janë partnerët tanë strategjikë, qëndron në atë se duan të mbyllin konceptin e çështjeve të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë rast, Maqedonia shihet si kyçe. Pra, duan të mbyllin problemin rreth integrimit tonë në NATO, por edhe procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe Malit të Zi”.

“Në këtë kontekst, vlerësoj se përputhen interesat e lojtarëve apo strategëve më të mëdhenj në rajon me interesat tona, pra për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në rajon. Këtë gjithsesi se e ndihmon edhe ndryshimi që u bë në qeverisjen e vendit, pasi tani SHBA-ja dhe aleatët kanë një partner më të fuqishëm që së bashku me përmirësimin e raporteve me Bullgarinë do të ndihmojnë në raportet mes lindjes dhe perëndimit, apo dobësimit të ndikimit rus në rajon”, thotë Lubomir Fërçkovski, ish-ministër i Punëve të Jashtme.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se palët vazhdojnë bisedimet pavarësisht se në opinion krijohet përshtypja për ngecjen e procesit, por në gjithë këtë procesi ai si vendimtar sheh rolin e diplomacisë perëndimore.

“Si duket kjo lëvizje diplomatike paraqet inkurajimin e fundit për palët për arsye se sensi i gjithë këtij presioni është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe natyrisht se e gjithë kjo duhet të bëhet para korrikut, pasi samiti i NATO-s është më 7 korrik dhe këtu mund të ndodhë anëtarësimi. Si duket në këtë fazë edhe diplomacia e madhe kërkon të ketë rolin dhe suksesin e vet në këtë kontest”, vlerëson Demiri.

I pyetur nëse pala greke mund të taktizojë dhe në momentet e fundit të heqë dorë nga zgjidhja, duke u thirrur në mbrojtjen e interesave të saj, Demiri thotë se Athina mund të taktizojë me disa kërkesa, mirëpo jo edhe të heqë dorë nga i gjithë procesi. Sipas tij, Greqia nuk ka se çfarë të humbë, ndërsa i mazhi i saj nuk është edhe aq favorizues në skenën ndërkombëtare duke marrë parasysh kontestet edhe me vende tjera, si Turqinë, por edhe Shqipërinë si dhe problemet financiare me BE-në.

“Detyrimisht, ajo duhet që në këtë fazë ndaj Maqedonisë të mos zmbrapset, të mos jetë këmbëngulëse. Ka disa zmbrapsje taktike, disa kërkesa që janë në shërbim të negociatave, pra nuk janë kërkesa që mund ta pengojnë procesin”, thekson Demiri.

Ndryshe, nga fundi i shkurtit apo fillimi i marsit, në Maqedoni pritet të arrijë edhe shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, në vizitën e parë të një lideri grek, që zbret në Aeroportin e Shkupit pas vendimit të Qeverisë për ndërrimin e emrit “Aleksandri i Madh”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme