Qëndron Kastrati ka emëruar më shumë gra se sa burra në drejtoritë komunale në Kamenicë

20:48 | 23 Shkurt 2018
Arbresh.info

Qëndron Kastrati, kryetari i Komunës së Kamenicës, e ka krijuar një precedent të ri në Kosovë. Ai ka emëruar më shumë gra se sa burra në drejtoritë komunale.
Deri më tani, ishte kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që kishte vendosur standard për Kosovë, duke i emëruar gratë në krye të gjysmës së drejtorive.

Të dy, janë të vetmit që e kanë respektuar ligjin për barazi gjinore në Kosovë, i cili kërkon barazi në të gjitha fushat në mes të dy gjinive. Shumë kryetarë të komunave i kanë hëngër fjalët e tyre të dhënat në DebatPernime për numrin e grave që do t’i emërojnë. Pjesa më e madhe kanë emëruar më pak se sa që kanë premtuar.

Kastrati e ka bërë të kundërtën. Ka emëruar më shumë gra se sa që i kishte premtuar në Debatin për kryetar të Komunave të moderuar nga Jeta Xharra.

Brikenë Ramabaja, drejtore e Administratës së Përgjithshme, Ismete Thaçi, drejtore e Arsimit, Nexhmedin Bislimi, drejtor për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Arta Gashi është përzgjedhur të jetë drejtore për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Krenare Mavriqi është emëruar drejtore për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi, Dritan Maliqi do të jetë drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Ramadan Basha do të jetë drejtor për Shërbime Publike dhe Inspektorat, Arianit Ibrahimi është emëruar drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, Pajtesa Kryeziu do të jetë drejtore për Mbrojtje dhe Shpëtim, Naim Arifi është përzgjedhur të jetë drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ndërsa Majlinda Krasniqi e ka marrë besimin të jetë drejtore e Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës.

“Synojmë mbi 50 për qind të jenë gra, por normalisht nuk do të jetë vetëm gjinia kriter”, ishte premtimi i Kastratit në debatin për kryetar të komunës se Kamenicës.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka mbajtur premtimin të cilin e ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore se do t’i emërojë gratë në krye të gjysmës së drejtorive në Kamenicë.

“Jo vetëm që kam premtuar, por gratë kanë qenë më të përgatitura në Komunën e Kamenicës”, ka thënë Kastrati për KALLXO.com.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme