Google ADS

Krasniqi: Nuk ka fakte të reja për humbjen e territorit, duhet të ratifikohet ky version

19:21 | 23 Shkurt 2018
Arbresh.info

Të gjitha zhvillimet e fundit lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi kanë prekur dhe nuk kanë kaluar pa debat edhe mes shoqërisë civile.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se stërzgjatja e këtij procesi flet për jo seriozitet nga ana e institucioneve të shtetit të Kosovës.

“Tash po bëhen 3 vite prej kur çështja e Demarkacionit duke dominuar debatin publik dhe atë politik. Për 3 vite, ne si shoqëri, Kosova si shtet dhe institucionet e saj nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare se cila është vija kufitare me Malin e Zi”.

“Kjo mungesë e arritjes së konsensusit mes partive politike dhe për t’i dhënë përgjigje temave që ngriten në Kuvend që ne së pari si shtet ta dimë ku e kemi kufirin dhe pastaj këtë mund ta kontestojmë këtë me Malin e Zi nëse vërtetohet se ka pasur humbje territori po e shpërfaq mungesën e seriozitetit të Kosovës si shtet dhe mënyrës primitive të të bërit politikë”.

“Kur partitë politike nuk arrijnë që me mënyra demokratike t’i zgjidhin mospajtimet e tyre, kjo shënon një hap prapa në gjithë konsolidimin e shtetit të Kosovës”.

Krasniqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të ratifikohet sa më parë në Kuvendin e Kosovës.

“Kemi bërë thirrje që në radhë të parë të ketë konsensus dhe në rradhë të dytë, që deri tani nuk është provuar në mënyrë bindëse se Kosova po humb territor atëherë duhet të ratifikohet kjo marrëveshje”.

“Pra, nuk duhet të humbim më shumë kohë. Nuk ka fakte të reja për humbjen e territorit, duhet të ratifikohet ky version”.

Ai ka komentuar edhe atë që duket se është një problem i ri në arritjen e konsensusit mes partive politike shqiptare, përjashtuar Vetëvendosjen për të dhënë votën “pro” për marrëveshjen e Demarkacionit – raportin e Komisionit në krye me Shpejtim Bulliqin.

“Ky është një qëndrim i gabuar i kryeministrit Haradinaj dhe duhet të heqë dorë nga ky qëndrim i cili po bllokon ratifikimin e Demarkacionit. Nuk ka asnjë kuptim dhe asnjë praktikë juridike dhe parlamentare nuk njeh që brenda një dokumenti të ketë dy qëndrime që përjashtojnë njëra-tjetrën”.

“Marrëveshja që duhet të ratifikohet në Kuvend duhet të përmbajë në mënyrë të qartë koordinatat ku shënjohet kufiri. Nuk mundet që brenda një dokumenti të jenë dy anekse të tjera që përjashtojnë njëra-tjetrën, kjo është mundësi shtesë për të pasur konflikte, qoftë të brendshme apo me Malin e Zi”.

“Nëse dështon arritja e marrëveshjes në mënyrë paqësore dhe konfirmohet se Kosova po humb territor, atëherë mbeten mjetet e dhunshme për ta zgjidhur këtë problem”.

Sipas tij, raporti i komisionit të Shpejtim Bulliqit duhet të largohet nga marrëveshje pasi është raport i njëanshëm dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik për palën tjetër.

“Ta bëjmë këtë në mënyrë sa më të thjeshtë dhe praktike të mundshme. Ta heqim atë marrëveshjen që është kontradiktore, raporti i Bulliqit nuk është raport zyrtar, është raport i njëanshëm sepse i mungon pala tjetër, Mali i Zi.

“Raporti i Komisionit Shtetëror të Murat Mehës është negociuar me Malin e Zi dhe është punuar bashkërisht”.

“Raporti i Bulliqit është krijuar ashtu si ata kanë dëshiruar, në bazë parametrave që kanë dashur të marrin parasysh dhe nuk prodhon ndonjë efekt juridik e as për palën tjetër se nuk janë pajtuar për këtë marrëveshje”.

“Nuk mund të ratifikojmë ne diçka tjetër e Mali i Zi diçka tjetër”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme