Xherdan Shaqiri i kënaqur me vendimin e trajnerit për t’i ndaluar telefonat

18:06 | 23 Shkurt 2018
Arbresh Info

Xherdan Shaqiri ka zbuluar se trajneri i tij në Stoke City, Paul Lambert, ua ka ndaluar lojtarëve shfrytëzimin e telefonave gjatë drekës, por beson që kjo i ka ndihmuar ata që të jenë më të afërt me njëri-tjetrin.

Pas tri disfatave nga gjashtë ndeshjet e tyre të fundit, Stoke City qëndron në pozitën e 19-të në Premierë Ligë para përballjes të së shtunës ndaj Leicester City që në rast fitores mund t’i shmangen zonës së dëbimit, transmeton portali arbresh.info. Lambert, i cili zëvendësoi Mark Hughes muajin e kaluar, ka pasur një ndikim pozitiv në skuadër, të paktën kështu beson ylli shqiptar i klubit anglez.

“Ai ka një mentalitet gjerman me klubet e tij. Jam me të vërtetë me fat që ai ka ardhur këtu”, ka thënë Shaqiri në një intervistë për ‘Sky Sports’.

“Me skuadrat gjermane, ata gjithmonë qëndrojnë së bashku – nuk ka telefona në tavolinë. Kjo na ka ofruar më shumë neve – kur ju hani së bashku, ju duhet të flisni më shumë me bashkëlojtarët e tjerë që normalisht nuk flisni. Është një gjë e mirë”

“Ju ndëshkoheni në rast se merrni telefonin kur jeni duke ngrënë ushqim! Ju duhet t’i respektoni rregullat. Të gjithë e respektojnë këtë – skuadra është më e bashkuar tani. Kjo është e rëndësishme për një skuadër që ka nevojë për atë tani”

“Ne jemi të lumtur dhe kemi besim”

Sulmuesi i Zvicrës startoi në ndeshjen e parë në detyrë të trajnerit Lambert, fitorja 2 me 0 ndaj Huddersfieldit, ndërkohë që ka realizuar edhe në dy ndeshjet e fundit të tij. Edhe pse pranon që Stoke ka pasur probleme për të gjetur formën e tyre nga sezonet e mëparshme, ai beson se performancat individuale kanë qenë më të mirat që ai ka prodhuar në fanellën e Stoke Cityt.

“Nuk është sezoni më i mirë për Stoken, por si një lojtar ju duhet të përpiqeni për të dhënë më të mirën për të shfaqur performancë të mirë”, ka thënë tutje Shaqiri.

“Personalisht, ky ka qenë sezoni më i mirë deri tani për mua dhe jam i kënaqur me performancat e mia këtë sezon. Por, nuk jam i lumtur se si ka shkuar sezoni”

“A jeni duke pasur një sezon të mirë vetëm për shkak se disa njerëz po largohen? Nuk mendoj, Jam duke u përpjekur çdo vit – kjo ligë është ndryshe nga Italia dhe Gjermania, ju duhet të adaptoheni”

“Ky është viti im i tretë dhe unë mund të them ‘Jam këtu tani’ dhe jam duke kaluar shumë mirë. Ju duhet kohë për tu adaptuar në Premierë Ligë. Jam vërtetë i lumtur tani me performancat e mia, por si një skuadër ne duhet të jemi më të mirë”, përfundoi Shaqiri.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme