Google ADS

Edukimi, ekonomiku dhe mjekësia, profesionet më të preferuara

10:46 | 23 Korrik 2015
Arbresh.info

Fakultetet më të kërkuara në vitin akademik 2015/2016 në Kosovë, sipas të dhënave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, janë Fakulteti i Edukimit, pasuar nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë.

Durim Berisha, këshilltar i rektorit të Universitetit të Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se numri i maturantëve që kanë aplikuar për tu bërë student në Universitetin e Prishtinës ka pasur një ngritje, krahasuar me vitet e kaluara.

“Në Universitetin e Prishtinës prinë me aplikime Fakulteti i Edukimit, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Mjekësisë, si tre fakultetet më të kërkuara nga maturantët gjatë këtij viti, por duhet të përmend se ka një shtim të numrit të studentëve edhe në drejtimet tjera si në Fakultetin e Shkencave Matematiko- Natyrore dhe Fakulteteve Teknike”, ka theksuar Berisha.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, Arsim Bajrami ka theksuar ditë më parë se me konkursin për këtë vit akademik është shkurtuar numri i studentëve për shkencat shoqërore dhe është rritur numri në shkencat ekzakte.

Ministri Bajrami, ka bërë të ditur se do të ketë një analizë të tregut të punës për pesë vitet e ardhshme. Kjo analizë, sipas ministrit, do të shërbejë që universitetet të nxjerrin kuadro, aq sa i duhen shtetit të Kosovës.

“Jemi të vendosur që të përshtatim pranimin e studentëve të rinj me nevojat e tregut të punës. Kjo që po bëjmë, është një planifikim i mirë, sepse në të kaluarën kemi pasur një planifikim jo të mirë të pranimit të studentëve të rinj”, ka theksuar ministri Bajrami.

Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2015/2016, do të regjistrojë 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë.

Si shtesë e numrit si më sipër, Universiteti do të regjistrojë edhe 370 studentë të rregullt nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 328 studentë nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turk, romë, ashkali, egjiptas dhe kroat.

Durim Berisha, këshilltar i reaktorit të Universitetit të Prishtinës, ka theksuar se në këtë viti akademik, Universiteti i Prishtinës ka ngritur kriteret për regjistrim.

“Një dallim nga vitet e mëhershme është se këtë vit kalueshmëria e provimit pranues në Universitetin e Prishtinës është ngritur nga 30 në 40 për qind, çka nënkupton se është ngritur edhe kriteri në aspekt cilësor i studentëve të cilët do të pranohen në Universitetin e Prishtinës”, bën të ditur Berisha.

Të rinjtë, të cilët në këtë vit do të fillojnë studimet, po zgjedhin profesionet e tyre.

Disa të rinj të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, kanë theksuar se përzgjedhjen e fakulteteve e kanë bërë sipas preferencave të tyre dhe se ato profesione që ata i kanë zgjedhur për të studiuar i kërkon tregu i punës.

Linda Sinani ka vendosur të studiojë në Fakultetin e Edukimit që në të ardhmen të punojë si mësuese.

“Dua të studiojë edukimin parashkollor, pres një vend pune pas përfundimit të studimeve, por siç është bërë këtu në Kosovë vështirë për punësim do të jetë një sfidë mjaft e madhe për neve. Sidoqoftë, do të ishte mirë të punojë në profesionin tim, por që nëse nuk arrij të gjejë punë do të punojë dhe ndonjë punë tjetër”, shprehet ajo.

Një profesion që po e kërkon tregu i punës si në Kosovë ashtu edhe në rajon dhe më gjerë ka vendosur ta studiojë Elbasani.

“Do të studiojë për Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. E kam zgjedhur këtë fakultet vetëm se është më lehtë për të gjetur punë, pra tregu i punës po i kërkon punëtorë të kësaj lëmie”, shton ai.

Ndërsa, Shpejtim Simnica ka zgjedhur të studiojë në Fakultetin Ekonomik.

“Fakultetin Ekonomik e kam zgjedhur se më pëlqen si profesion i ardhshëm i imi, mendoj se mund të gjej punë më lehtë dhe kjo ka qenë arsyeja që kam aplikuar në këtë fakultet, shpresoj të regjistrohem”, shprehet ai.

Ndryshe, përfaqësues të organizatave që merren me përfaqësimin e interesave të bizneseve në Kosovë, vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet arsimore që në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bëhet edhe përzgjedhja e profileve në sistemin e shkollimit të lartë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme