Isufi: Nëse LDK s’e voton pakon, le të dihet kush po e bllokon demarkacionin

00:01 | 23 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se kjo parti insiston që në pako me ligj të mbetet edhe raporti i Bulliqit, që thotë se Kosova ka humbur 8200 hektarë në demaskimin e kufirit me Malin e Zi.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se mbetet vetëm një pikë kontestuese sa i përket marrëveshjes, që e ndan koalicionin qeverisës me votat e LDK-së.

“Ne kemi insistuar që ky ligj me katër nene të kalojë si pako, sepseedhe përmbushë të gjithë atë që quhet marrëveshje me Malin e Zi. Pos Marrëveshjes, e dyta është ekspertiza e Komisionit të ri shtetëror dhe e treta aneks-marrëveshja e dy presidentëve. Kjo kish me e kompletu ligjin dhe kish me obligu Qeverinë e Kosovës që pas kësaj të krijojë trupa që në bashkëpunim me Malin e Zi të kemi saktësim dhe përmirësim të vijës kufitare”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka thënë se sot gjatë tërë ditës ka pasur takime mes aktorëve politikë në Kosovë për të gjet zgjidhje.

“Ne nuk e kuptojmë se pse edhe deputetët që deri dje e kanë kundërshtuar marrëveshjen, qoftë nga Lidhja Demokratike e Kosovës qoftë nga partitë e tjera nuk lejojnë që kjo të përfshijë edhe ekspertizën. LDK-ja kërkon që kjo të jetë vetëm informatë, ndërsa ne duam që kjo të jetë ligj. Prandaj ne këmbëngulim që të jenë në pako, sepse duam që të korrigjohen gabimet e bëra. Nëse LDK s’e voton, atëherë le të dihet se kush po e bllokon ligjin”, ka thënë Isufi.

Isufi ka thënë po ashtu se AAK-ja ka përkrahjen e PDK-së për projektligjin e demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka shtuar po ashtu se me marrëveshjen mes dy presidentëve të shteteve, të dy shtetet obligohen të marrin masa për korrigjim të pjesëve të kontestuara. Ka thënë se Mali i Zi është treguar i gatshëm që të zbatojë marrëveshjen.

Kur është pyetur se a e ndjen kjo Qeveri se qytetarët janë lodhur nga pritja për liberalizim të vizave, Isufi ka thënë se “është e vërtetë që është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës, pa të drejtën e tyre, duke i vënë kusht demarkacionin vetëm Kosovës”.

“Konsideroj se kjo mënyrë e sjelljes e Evropës ndaj Kosovës nuk e bën të vlefshme gjithë atë investim që është bërë në Kosovë”, ka thënë ai./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme