Google ADS

Thaçi me vendime hakmarrëse po ia humb kredibilitetin presidencës

08:27 | 22 Shkurt 2018
M. A.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndonëse përfaqëson institucionin e presidencës dhe vendimet i merr në emër të tij, ai po e keqpërdor këtë pozitë për hakmarrje dhe interesa të tij politike duke e humbur kështu kredibilitetin e këtij institucioni, vlerësojnë analistët politikë, shkruan arbresh.info.

Presidenti Thaçi, të martën përmes një postimi në “Facebook” reagoi ndaj personave që kishin deklaruar publikisht se nuk pranonin dekorim nga ai, duke refuzuar medaljen presidenciale, duke thënë se të njëjtit nuk mund të refuzojnë ato dekorata sepse emrat e tyre ende nuk janë shqyrtuar. Por, deklarata e tij del të mos jetë e vërtetë.

Në një email që ka dërguar presidenca, pak ditë para pavarësisë janë përcjellë edhe disa emra, në mesin e tyre edhe ata të cilët kanë refuzuar publikisht dekoratën.

Analisti politik Imer Mushkolaj në një prononcim për portalin “Arbresh.info” vlerëson se këto veprime të presidentit Thaçi janë inatçore dhe hakmarrëse pas refuzimeve që ka marrë nga disa persona si Rexhep Qosja, Veton Surroi, Rexhep Selimi, Sulejman Selimi etj.

“Veprimet e tij janë inatçore dhe hakmarrëse për shkak të refuzimeve të dekoratave nga një numër i atyre qe ai i ka dekoruar dhe është shumë  e qartë se me 16 shkurt ai ka bërë publike listën e të dekoruarve jo të propozuarve pavarësisht se tash po përpiqet të nxirret dhe të thotë se ishin vetëm propozime, është jashtë logjikës që të behën publike vetëm propozimet sepse atëherë do të shkaktohej një situata ma e papërshtatshme sepse të gjithë do të prisnin të dekoroheshim. Përpjeka e tij për të arsyetuar vetën kur pati kundërshtime të mëdha nga publiku por dhe refuzime nga disa të dekoruar na tregon se kjo behët vetëm për çështje personale”, ka theksuar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se përmes këtyre veprimeve të Hashim Thaçit, po humb kredibiliteti i institucionit të presidencës.

“Presidenti Thaçi fatkeqësisht nuk është simbol unitet as integriteti as kredibiliteti as shoqnor e as politik. Lojërat e tilla mund ta dëmtojnë atë por, duke pas parasysh se ky është president i vendit dhe këto lojëra i bën si president i vendit atëherë natyrisht se  e humb edhe kretibilitietin e institucionit të presidencës”, ka thënë Mushkolaj.

E analisti tjetër politik Bajrush Morina thekson se presidenti i vendit ka shpërndarë dekorata sipas qejfit e interesit të tij politik.

“Presidenti Thaçi nuk po bën lojë, ai po bën politikë sipas qejfit të vet sepse në këtë vend, ka disa vjet që ai “vetë shkruan e vetë vulosë”. Presidenti Thaçi ka shpërndarë dekorata edhe herave të tjera dhe këto dekorime kanë qenë krejtësisht sipas qefit e interesit të tij politik. Prandaj ai të shtunën shpallë listën e të dekoruarve, të dielën e të hënën lexon deklarimet e atyre që refuzuan këtë dekoratë, të martën u thotë :Jo ju nuk keni qenë të dekoruar por të propozuar dhe të mërkurën fotografohet me disa prej atyre që kanë pranuar këtë dekoratë. Prandaj, Thaçi nuk po bën lojëra, ai po bën politikë sipas kutit dhe interesit të tij personal”, thotë Morina.

Sipas Morinës, presidenca është shndërruar në seli të ish partisë së tij, PDK-së.

“Presidenca është shndërruar në një seli  politike të PDK-së. Pra Thaçi si lider i PDK-së e ka shndërruar Presidencën në një rezidencë të ish-partisë së tij. Krejt çka ka ndryshuar është vetëm dekori, apo llogoja e selisë nga ajo e PDK së në atë të Presidencës. Përndryshe përmbajtja e veprimeve të Thaçit është sipas programit politik të PDK së”, thotë ai.

Në email e dërguar mediave janë përcjellë edhe disa emra, në mesin e tyre edhe ata të cilët kanë refuzuar publikisht dekoratën.

“Bashkangjitur gjeni Listën e të dekoruarve nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi me Medalje Presidenciale në 10-të Vjetorin e Pavarësisë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Kujtojmë që medaljen presidenciale deri më tani e kanë refuzuar Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni, Sylejman Selimi, Agim Vinca, Veton Surroi, Rexhep Selimi etj./Arbresh.info/


 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme