Google ADS

Kuvendi mblidhet sot për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi

07:09 | 22 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kuvendi i Republikës së Kosovës do te mblidhet sot në seancën e jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit nr. 06/L-060 për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Kështu ka vendosur dje kryesia e Kuvendit në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare pas kërkesës së qeverisë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi Filip Vujanoviq.

Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e mbështetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë, e cila thotë se “kundërshtimi i deritashëm i demarkacionit siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme”.

Marrëveshjen e demarkacionit e mbështetë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, por jo edhe lëvizja Vetëvendosje.

Lista “Srpska”, gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila e procedoi në Kuvend ligjin për demarkacionin, abstenoi kur u votua ligji.

Ndërsa tash për tash akoma nuk ka një qëndrim të prerë sesi do të votojë në Parlament.

Thirrje deputetëve të pakicave dhe të gjithë deputetëve tjerë që ta votojnë demarkacionin, u ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Parlamenti i Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme