Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka filluar përgatitjet për ndeshjet kualifikueset për Kupën e Botës

10:58 | 21 Shkurt 2018
Arbresh.info

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka filluar përgatitjet për ndeshjet kualifikueset evropiane për Kupën e Botës, kurse dy basketbollistët Dardan Berisha dhe Erjon Kastrati shprehin optimizëm për ndeshjen e parë ndaj Polonisë, e cila zhvillohet më 23 shkurt.

Kapiteni i Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, ka premtuar maksimumin në stërvitje në mënyrë që të befasojë Poloninë në ndeshjen që zhvillohet më 23 shkurt. Këto komente ylli i basketbollit shqiptar i bëri pas stërvitjes së parë të martën që Kosova e zhvilloi në Torun të Polonisë, shkruan Epoka e Re.

“Përgatitjet i kemi filluar dhe jemi shumë të lumtur që jemi kthyer sërish bashkë. Ne i dimë qëllimet tona, por edhe e dimë se nuk do të jetë lehtë. Të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na jep motivim që të bëjmë sa më mirë në duel me Poloninë. Ne do ta japim 100 % tonë në stërvitje dhe do të mundohemi të bëjmë një befasi për të mposhtur një ekip të fortë siç është Polonia”, ka thënë Berisha, i cili ka treguar që Scott Bamforth nuk ka pasur mundësi t’i bashkëngjitet përfaqësueses për shkak të rikuperimit. Berisha konfirmoi me këtë rast se Shawn Jones është pjesë e Kosovës për ndeshjet e radhës në kuadër të Dritares së Dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Kosova më 23 shkurt do të luajë ndaj Polonisë nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë. Lidhur me ndeshjen e radhës ndaj Polonisë ka folur edhe Erjon Kastrati, i cili fillimisht ka shprehur gëzimin e madh që ka, pasi është rikthyer në përfaqësuese. Edhe Kastrati, ashtu si Berisha, beson në rezultat pozitiv.

“Jam i lumtur që jam rikthyer në përfaqësuese, për çka e falënderoi Federatën e Basketbollit të Kosovës që na ka dhënë mundësi të grumbullohemi disa ditë më herët, në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë për takimin me Poloninë. Ata kanë një përfaqësuese të fortë, por jemi optimistë se duke e dhënë maksimumin nga vetja mund të marrim rezultat pozitiv”, ka deklaruar Kastrati.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme