Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e radhës, u diskutuan shumë çështje

09:03 | 21 Shkurt 2018
Arbresh.info

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Fadil Vokrri, e ku debatoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës.

KE diskutoi edhe për Komisionet që janë përgjegjës anëtarët e KE-së si dhe për azhuritetin e tyre.

Po ashtu KE shqyrtoi dhe analizoi agjendën e ekipeve kombëtare veçmas për ndeshjet e Kombëtares A, të cilat do të zhvillohen më 24 mars kundër Madagaskarit dhe më 27 mars kundër Burkina Fasos në Paris të Francës, me konstatimin se ato po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Tutje në këtë mbledhje u diskutua edhe për përgatitjet për Kuvendin e rregullt të punës që do të mbahet më 2 mars dhe çdo gjë po shkon sipas programit.

Duke analizuar fillimin e garave në stinorin pranveror u tha se me gjithë zhvillimin e vetëm të një rrethit të Digitalb Kupës së Kosovës dhe ndeshjeve të javës së 19-të të Vala Superligës ato patë një rrjedhë relativisht të mirë. Në këtë drejtim KE u bën thirrje të gjithëve që të angazhohen maksimalisht për respektimin e skuadrave rivale, delegatëve, zyrtarëve të ndeshjeve  dhe gjyqtarëve, duke u ofruar komoditet  dhe gara në frymë sportive e korrekte si dhe deklarimet e të gjithëve të jenë në përputhje me kodin e mirësjelljes që do t’u ndihmonte në mbarëvajtjen e garave dhe në frymën e misionit sportiv.

Presidenti i FFK-së, z. Fadil Vokrri do të mbajë një takim me prokurorin e shtetit nga i cili do të kërkojë që të angazhojë një prokuror, i cili do të kishte prioritet lëndët e çfarëdo lloj dukurie e parregullsie negative që dëmtojnë futbollin e Kosovës.

Për t’i kontribuar të gjithë kësaj FFK-ja ka organizuar seminare me klube, vëzhgues, kontrollorë, gjyqtarë sikur që ka organizuar edhe ligjërata me të gjithë këta për parandalimin dhe vetëdijesimin kundër trukimeve të ndeshjeve.

Duke diskutuar për futbollin e femrave, me qëllim të nxitjes së futbollit femëror, KE mori vendim që kampionit t’i ndajë 5 (pesë) mijë euro, 3 (tre) mijë euro vendit të dytë dhe 2 (dy) mijë euro vendit të tretë.

Ndërkaq fituesit të Kupës së Kosovës 4 (katër) mijë euro, ndërsa ekipit finalist 2 (dy) mijë euro. Po ashtu KE diskutoi edhe për Projektet e infrastrukturës për ndërtimin e 12 fushave me bari sintetik duke falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe komunat që kanë shprehur gatishmëri që të ndihmojnë në ndërtimin e tyre.

Për KE të FFK-së ky është një prej projekteve më madhore sa i përket infrastrukturës, që do ta ndihmojë zhvillimin e futbollit. KE shqyatoi edhe ankesa e parashtresa drejtuar këtij organi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme