Google ADS

Kryeprokurorët e Themeloreve ia prezantojnë Lumezit lëndët që i kanë kryer

15:39 | 20 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka mbajtur sot takimin e radhës të kolegjiumit me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive Themelore, kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale dhe me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit.

Gjatë këtij takimi kanë raportuar të gjithë kryeprokurorët e prokurorive për rezultatet e punës gjatë vitit 2017, ku edhe paraqitën planin e punës, objektivat dhe aktivitetet që do t’i ndërmarrin gjatë vitit 2018, ka njoftuar zyra e tij për informim.

Sipas raporteve të prezantuara nga kryeprokurorët e prokurorive u pa se gjatë vitit 2017 ka pasur rezultate të mira dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale dhe në Prokurorinë e Apelit, thekson njoftimi.

Tutje, në kumtesë bëhet e ditur se gjatë vitit 2017, Prokuroria e Apelit ka pranuar në punë 5194 lëndë, ku edhe i ka kryer të gjitha 5194 lëndët; Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar gjithsej 3938 lëndë dhe ka kryer 4550, ndërkaq i kanë mbetur në punë edhe 1306; Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 5081 lëndë, ndërsa ka kryer 3982, i kanë mbetur 1101 lëndë; Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 3309 lëndë, i ka kryer 4138 lëndë, të mbetura 400, ndërkaq të bartura nga viti i mëparshëm ka pasur 1200 lëndë; Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 6365 lëndë, ka kryer 5857 lëndë, i kanë mbetur 508 lëndë; ndërsa, prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Gjakovës dhe e Mitrovicës, ende nuk i kanë sjellë të dhënat lidhur me pranimin dhe kryerjen e lëndëve.

Kryeprokurori Lumezi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët fuqizim të luftës kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, kërkesë e bërë duke marrë parasysh që ky është një kriter shumë i rëndësishëm për liberalizimin e vizave.

Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar që të identifikohen dhe shenjestrohen rastet e nivelit të lartë, të bashkërendojnë veprimet me institucionet e sundimit të Ligjit për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta gjatë hetimit të këtyre rasteve dhe të aplikohen masat adekuate për sekuestrimin dhe ngrirjen e pasurisë.

I pari i Prokurorisë së Shtetit, ka kërkuar nga kryeprokurorët që t’iu jepet prioritet  zbardhjes së rasteve të vrasjeve gjatë dhe pas luftës, si dhe ka kërkuar që të respektohet vija vertikale  duke i zbatuar udhëzimet nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Për fund Kryeprokurori Lumezi, kërkoi nga të gjithë kryeprokurorët që çdo lëndë të përfaqësohet dhe të mbrohet me dinjitet në Gjykatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme