Të enjten që shkoi njoftimi për largimin e David Schwendiman nga detyra e kryeprokurorit të Speciales erdhi befasishëm. Në deklaratën e tij publike, amerikani e bëri të qartë që nuk po jep dorëheqje as nuk po shkarkohet, dhe se largimi i tij i shpejt nuk paraqet ndryshim në politika ose zotim ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e SHBA-së ose BE’së. Por, a do të zvarriten proceset e Speciales për ngritjen e aktakuzave të para, siç shkruan mediat prestigjioze botërore? Për këtë Gazeta Express ka kontaktuar Zyrën e Schwendiman.
David Schwendiman, i cili nga data 31 mars nuk do të jetë në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar që ka për detyre gjykatës të ndjek krimet e supozuara të krerëve të UCK’së, ka thënë , se puna e këtij institucioni nuk do të zvarritet duke potencuar se ekipi që e ka lënë pas është i përgatitur mirë.
Prokurori në largim thotë se zëvendësuesi i tij është i gatshëm dhe ka njohuri nga afër për këto procese, dhe kjo gjë sipas tij nuk do të neglizhoj procesin për ngritjen e aktakuzave të para.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është në një rrugë të qëndrueshme dhe vazhdimësia sigurohet nga figura e Zëvendësit tim, Kwai Hong Ip. Ai po e merr detyrën e Prokurorit të Specializuar të Përkohshëm, siç ai bëri aq mirë me Task Forcën Hetimore Speciale pas largimit të Clint Williamson-it” ka thënë Schwendiman për Express.
“Vendosmëria e atyre që po punojnë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk do të ndikohet nga largimi im, dhe kushdo qoftë që vjen pas meje do të jetë po aq e zotuar në kryerjen e punës drejt dhe mirë dhe aq shpejtë sa është e mundshme”, ka shtuar ai.
Sipas tij, sa ishte në detyrë ka mbledhur mjaftueshëm fakte të cilat do të iu nevojiten njerëzve tjerë të rekrutuar në staf, të cilët do të punojnë për zbardhjen e krimeve të luftës dhe se puna e këtij institucioni nuk do të dobësohet.
“Siç e tregova në deklaratën time të enjten javën që shkoi, mua më trishton largimi im nga kolegët të cilët admiroj dhe respektoj pa mbaruar atë që e nisëm së bashku. Megjithatë, kam shumë bindje, besim dhe mirëbesim në ata kolegë, dhe unë e di që për shkak të tyre puna e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk do të ligështohet” ka thënë ai në një përgjigje elektronike për Gazetën Express.
Ai ka thënë se stafi i Prokurorisë është i gatshëm të cojë punën më tej. Tashmë është njoftuar se BE është vënë në kërkim të një prokurori të ri.
“Detyra ime si Prokurori i Specializuar ka qenë t’i caktoj politikat, ta drejtoj punën dhe të sigurojë që ata që bëjnë punën kanë burimet dhe mbështetjen që u duhen që ta kryejnë punën. Unë kam ndihmuar në rekrutimin e një stafi të jashtëzakonshëm, unë kam ndihmuar në sigurimin e burimeve të nevojshme të veprojnë në mënyrë efikase, dhe kam punuar që të marr dhe ta mbaj përkrahjen e duhur nga bashkësia ndërkombëtare që ta mbartin punën më tej”, ka thënë mes tjerash Schwendiman.
David Schwendiman ka dhënë kumtin të enjten se do të largohet nga detyra e kreut të organit të akuzës, që ka mandat të hetojë pretendimet e senatorit Dick Marty të shprehura në raportin që mban vulën e Këshillit të Evropës, e në të cilin pjesëtarë të UÇK-së bëhen përgjegjës për krime lufte.
Në shtator të 2016-s amerikani Schwendiman ishte emëruar prokuror i specializuar, pozitë e barasvlershme me kryeprokurorin në të tjera prokurori. SIFT-n para tij e kishte drejtuar Clint Williamson, i cili në verën e vitit 2014-s pati njoftuar të ketë prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzave, porse atë kohë mungonin Dhomat e Specializuara, para të cilave aktakuzat mund të ngriheshin./Gazeta Express
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...