Google ADS

Nxënësit fajësojnë politikanët pas ngjarjes në Florida

22:29 | 19 Shkurt 2018
Trina Galanxhi

19 vjecari Nikolas Cruz i cili akuzohet se ka qëlluar me armë ndaj 14 nxënësve dhe tre mësuesve në një shkollë të mesme të Parklandit në Florida, e kishte blerë armën gjysëm-automatike AR-15 me të cilën kreu masakrën, pasi ishte kryer një proces verifikimi i së shkuarës së tij.

Të hënën Cruz pati një paraqitje të shkurtër në gjykatë ndërsa avokatët diskutuan probleme procedurale në çështjen në ngarkim të tij për vrasje me paramendim.

Të hënën Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Donald Trump mbështet përpjekjet për përmirësimin e sistemit të kontrollit për ata që duan të blejnë armë zjarri. Me anë të një deklarate, zëdhënësja Sarah Sanders tha se Presidenti Trump kishte biseduar për këtë çështje me senatorin republikan John Cornyn i cili së bashku me senatorin demokrat Chris Murphy kanë paraqitur një projekt-ligj për të përmirësuar sistemin.

Njoftimi vjen ndërsa nxënësit e shkollës së mesme në Florida ku një person i armatosur vrau 17 veta ditën e Shën Valentinit premtojnë se nuk do të heshtin përballë rrezikut të vazhdueshëm nga armët e zjarrit. Një prej tyre, Emma Gonzalez, është bërë fytyra e revoltës së nxënësve kundër ligjeve tolerante për armëmbajtje, pasi dënoi politikanët, përfshirë Presidentin Donald Trump që kanë pranuar kontribute financiare për fushatat e tyre nga Shoqata Kombëtare e Armëve të Zjarrit. Të rinjtë amerikanë në gjithë vendin po diskutojnë për mënyrat se si t’i bëjnë ballë kulturës së armëve në iniciativa në media sociale si #MeNext dhe #NeverAgain.

Governatori i Floridës, Rick Scott mori pjesë në një shërbesë në kishë kushtuar viktimave të vrasjes masive të së mërkurës në Shkollën e Mesme “Marjory Stoneman Douglas”. Ndërsa mbaheshin funeralet e viktimave këtë fundjavë, në zonën e Majamit në Florida u hap një panair i madh armësh. Pesë mijë vetë pritej të merrnin pjesë në këtë ngjarje të përvitshme ku vizitorët mund të blejnë lloje të ndryshme armësh, përfshirë AR-15 që u përdor për të vrarë në Parkland. Shitësit në këto panaire nuk janë të detyruar që të kontrollojnë historinë private të blerësve të armëve.

Ndërkohë në Uashington, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, demokrat nga Nju Jorku tha se projekt-buxheti i Shtëpisë së Bardhë për vitin 2019, do ta bënte më të lehtë për të blerë një armë.

“Presidenti Trump, në buxhetin e tij e ka dobësuar në fakt sistemin e kontrollit si për kriminelët që nuk duhet të kenë armë, edhe për ata që kanë probleme mendore, që gjithashtu nuk duhet të kenë armë.”

Zoti Trump ka fajësuar FBI-në se kishte dështuar në parandalimin e vrasjeve në shkollën e Floridës. Nënpresidenti, Mike Pence tha se administrata do ta bëjë përparësi sigurinë në shkolla.

Por të mbijetuarit e sulmit në Florida dhe nxënës të tjerë në gjithë vendin, janë të indinjuar nga mungesa e veprimit nga ana e udhëheqësve politikë. Emma Gonzalez, një nga nxënëset që ka ngritur më shumë zërin, përmendi ata që marrin kontribute financiare nga Shoqata Kombëtare e Armëve të Zjarrit, NRA.

“Çdo politikani që pranon para nga NRA, i them: ‘t’ju vijë turp’”.

Gonzalez tha se Presidenti Trump ka marrë 30 milionë dollarë nga lobi i fuqishëm i armëve dhe se e kishte shfuqizuar rregullin e paraardhësit të tij që do të kishte parandaluar ata me probleme me mendore të blinin armë zjarri.

“Të pjesëtuara me numrin e viktimave të armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara vetëm deri taani në 2018-ën, kjo do të thotë 5 mijë e 800 për person. Kjo është vlera e këtyre njerëzve për ju, Trump?”

Lëvizje si #MeNext dhe #NeverAgain po krijohen në gjithë vendin me synimin për t’i rezistuar asaj që po konsiderohet gjithnjë e më shumë si “normalja e re” për brezin e sotëm: rreziku për t’u vrarë në shkollë. Aktivistët po përpiqen të krijojnë një normale tjetër, ku të jetë e turpshme të pranosh para nga lobistët e armëve. Në muajt në vazhdim po planifikohen protesta dhe ka edhe një diskutim se sa efektive mund të jetë bojkotimi i shkollës deri kur të plotësohen kërkesat e nxënësve për ligje të arsyeshme për armët e zjarrit./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme