Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar djegien e pikave doganore të Kosovës në veri dy ditë pas shpalljes së pavarësisë.
Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ndonëse janë ngritur aktakuza ndaj 21 qytetarëve serbë, vështirë që dikush është dënuar dhe të ketë mbajtur burg për ngjarjet e 19 shkurtit 2008 në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Dje dhe pardje u festua 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, kurse sot është ditë pushimi. Mirëpo, sot, duhet ta kujtojmë 10 vjetorin e djegies së pikave doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
“Mëngjesi pas festës
Dje dhe pardje u festua 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, kurse sot është ditë pushimi. Mirëpo, sot, duhet ta kujtojmë 10 vjetorin e djegies së pikave doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Më 19 shkurt 2008, grupe serbësh të paidentifikuar, disa qindra sosh nga katër komunat në veri, patën shkuar te këto dy pika doganore. Në Jarinje është djegur punkti policor, ndërsa në Bërnjak ai është shkatërruar me eksploziv. Forcat franceze dhe amerikane të KFOR-it që ishin prezentë nuk kanë reaguar. Policët ndërkombëtarë i kanë nxjerrë nga vendi i ngjarjes policët dhe doganierët e Kosovës që ishin të rrezikuar.
Janë ngritur aktakuza në prill të vitit 2008 për 21 qytetarë serbë për djegien e këtyre pikave. Policia e Kosovës ka bërë kallëzim penal kundër 21 serbëve, 7 në Jarinjë dhe 14 në Bërnjak. Këtë kallëzim penal e ka bërë pranë prokurorit ndërkombëtar, në dorë të të cilit ka qenë ngritja e aktakuzave. Vështirë se u dënua a mbajti burg kush prej atyre serbëve që besohet të jenë dirigjuar nga Milan Ivanoviq. Më parë besoj të jenë amnestuar ata në qershor të vitit 2013 kur Kuvendi i Kosovës kaloi ligjin që e imponoi Thaçi pas marrëveshjes së tij të 19 prillit 2013 me Daçiqin.
Vetëm pas një viti, në shkurt 2009, dogana e EULEX-it pat filluar evidentimin e mallrave komerciale. Dogana e Kosovës është kthyer në këto dy pika në vitin 2011. Mirëpo, mjete të tatimeve doganore që mblidhen atje ngelin në Fondin Zhvillimor për Veriun. Në njërën anë, s’pati dënim dhe pati shpërblim për djegien e pikave kufitare 1 dhe 31. Në anën tjetër, Kosova ka fond zhvillimor vetëm për pjesën e territorit të cilin s’e kontrollon dot. Kur kujtojmë shpalljen e pavarësisë në jubileun e një dekade të saj, duhet kujtuar edhe mëngjesin pas mbrëmjes festive”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/
Superliga rikthehet sot me dy superduele
Poker dhe baste sportive online, 29 të arrestuar në Tiranë
A do të arrestohej Benjamin Netanyahu në Gjermani?
Aksident me fatalitet në Suharekë, vdes një person e lëndohe...
Vidhet një pistoletë me 40 fishekë në Prizren
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...